Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, në bashkëpunim me Njësinë e Veçantë Hetimore të Policisë së Kosovës, ka ndërmarrë një aksion hetimor që ka rezultuar me arrestimin e një gjyqtari të Gjykatës Themelore në Prishtinë.
Sipas Prokurorisë Speciale, i arrestuari është A.G., i cili dyshohet për kryerjen e veprës penale “Keqpërdorimi i detyrës zyrtare”.
Hetimi ndaj tij është zhvilluar në mënyrë intensive dhe të vazhdueshme për disa muaj.
“Bazuar në të dhënat dhe provat e siguruara gjatë hetimeve, Prokuroria Speciale ka vlerësuar se ekziston dyshim i arsyeshëm për përfshirjen e tij në veprën penale për të cilën është ndërmarrë masa e arrestimit”, thuhet në njoftim.
Prokuroria Speciale ka bërë të ditur se, për shkak të respektimit të integritetit të procesit hetimor dhe parimit të prezumimit të pafajësisë, nuk do të publikohen detaje të tjera për rastin në këtë fazë.
Prokuroria Speciale dhe Policia e Kosovës kanë theksuar se mbeten të përkushtuara në luftimin e korrupsionit, keqpërdorimit të detyrës zyrtare dhe veprave të tjera penale, duke vepruar në përputhje me ligjin dhe me standardet e drejtësisë penale.

