Policia e Kosovës ka reaguar lidhur me largimin nga puna të togerit policor A.V., me detyrë në DHTQNJ në Pejë, duke sqaruar se ndaj tij janë iniciuar gjithsej 15 raste disiplinore që nga përfshirja e tij në radhët e Policisë.
Sipas Policisë së Kosovës, 13 raste janë trajtuar në nivel qendror dhe dy në nivel rajonal, përmes mekanizmave të brendshëm të kontrollit, ndërsa rastet ndaj zyrtarëve policorë mund të trajtohen edhe nga Inspektorati Policor i Kosovës si mekanizëm i jashtëm.
“Ndaj zyrtarit policor, për shkak të shkeljeve disiplinore, që nga inkuadrimi i tij në polici e deri në largimin e tij nga detyra, janë iniciuar 15 raste, ku prej tyre janë trajtuar 13 në nivel qendror dhe 2 në nivel rajonal, të cilat janë trajtuar në mënyrë profesionale dhe të pavarur nga mekanizmat e brendshëm të Policisë së Kosovës”, thuhet nբ njoftim.
Policia ka bërë të ditura edhe masat e lidhura me aktivitetin në rrjetet sociale.
“Në 3 rastet e trajtuara që kanë të bëjnë me rrjetet sociale, janë shqiptuar masat;ndalesë në pagë prej 30 për qind për dy muaj, për një rast të iniciuar dhe të sanksionuar në vitin 2016; ndalesë në pagë prej 30 për qind për gjashtë muaj, për një rast të iniciuar në vitin 2025 dhe të sanksionuar në vitin 2026;ndërprerje të marrëdhënies së punës, për një rast të iniciuar dhe të sanksionuar në vitin 2026”, ka njoftuar Policia.
Sipas PK-së, vendimi për largim nga puna është marrë pasi zyrtari ka vazhduar me shkelje të përsëritura, të cilat, sipas institucionit, bien ndesh me procedurat disiplinore dhe dispozitat përkatëse ligjore.
Policia i referohet, ndër të tjera, dispozitave që lidhen me sjelljen e rëndë diskredituese, mosbindjen e rëndë dhe shkeljen e rëndë të autorizimit, përfshirë publikimin, shpërndarjen apo komentimin e përmbajtjeve që mund të dëmtojnë imazhin e Policisë së Kosovës.
Ndaj vendimit të Policisë së Kosovës, palëve u është dhënë këshillë juridike dhe e drejta për ankesë në gjykatën kompetente.
Policia e Kosovës ka deklaruar se do të vazhdojë trajtimin e rasteve disiplinore në mënyrë profesionale dhe të pavarur, me synim ruajtjen e rendit, sigurisë publike dhe imazhit profesional të institucionit.

