Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka deklaruar se shtrirja e sundimit të ligjit dhe sovranitetit të Kosovës në veri ka ndihmuar në zbulimin e mbetjeve mortore të personave të zhdukur me dhunë gjatë luftës.
Kurti tha se, në të kaluarën, kur institucionet e sigurisë së Kosovës nuk kishin prani në veri, nuk kishte pasur zbulime të tilla.
“Fakti që kemi sundim të ligjit, shtrirje të sovranitetit, mbrojtje të integritetit territorial, po përkthehet edhe në zbulimin e varrezave masive. Pra, prania e shtetit të Kosovës në veri ka qenë shumë e dobishme edhe në aspektin e zbulimit të mbetjeve mortore të të zhdukurve me dhunë gjatë luftës”, ka deklaruar Kurti.
Ai theksoi se Kosova po e bën pjesën e saj në këtë drejtim, por sipas tij, nuk ka ndikim mbi Beogradin për hapjen e dosjeve që lidhen me personat e zhdukur dhe krimet e luftës.
“Ne po e bëjmë pjesën tonë, por ne nuk kemi ndikim mbi Beogradin. Ndërkaq Serbia, e cila merr edhe donacione, edhe kredi, edhe favore të ndryshme nga bashkësia ndërkombëtare, do të duhej që patjetër t’i hapë këto dosje”, u shpreh ai.
Kurti: Nuk është në rregull që Radoiçiq është ende i lirë
Kurti u ka bërë thirrje partnerëve dhe aleatëve ndërkombëtarë që ta ngritin këtë çështje në raport me Serbinë dhe të kërkojnë rezultate konkrete për hapjen e dosjeve të klasifikuara.
Ai përmendi edhe rastin e sulmit terrorist në Banjskë dhe kërkesat ndërkombëtare për dorëzimin e Milan Radoiçiqit.
“Nuk është në rregull që në muajin e ardhshëm ne do ta shënojmë edhe përvjetorin e tretë të vrasjes së rreshterit policor, heroit të Kosovës, Afrim Bunjaku, e kryekrimineli, terroristi Millan Radoiçiq, për shkak se e mbron Beogradi dhe ai e mbron Beogradin zyrtar, është i lirë atje. Faktorët ndërkombëtarë kanë kërkuar dorëzimin e tij, nuk ka ndodhur asgjë. E njëjtë të mos ndodhë përsëri asgjë edhe ku kërkohet hapja e dosjeve të tjera të klasifikuara”, tha Kurti.
Tutje tha se po ta kishte shteti i Kosovës një dosje të tillë të klasifikuar deri në vitin 2044, paramendojeni se me çfarë presioni do të përballeshim.
“Andaj, edhe një herë u bëjmë thirrje faktorëve ndërkombëtarë, por edhe gjithë shoqërisë kosovare e mbarë kombit tonë, që në çdo takim me faktorët ndërkombëtarë ta ngrinë çështjen e hapjes së dosjes së Brigadës së Motorizuar 37 të Ushtrisë Jugosllave, që është përgjegjëse për masakrat në Drenicë dhe jo vetëm, në pranverën e vitit 1999”, tha Kurti.
Kurti tha se kjo çështje duhet të jetë pjesë e vazhdueshme e kërkesave të Kosovës ndaj partnerëve ndërkombëtarë, në mënyrë që të sigurohet qasje në dokumentet që mund të ndihmojnë në zbardhjen e fatit të të zhdukurve dhe dokumentimin e krimeve të luftës.
23 mbetje mortore në Zubin Potok, Kurti: Numri përkon me `Grupin e Intelektualëve`
Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur ka prezantuar raportin përmbledhës për gërmimet e zhvilluara në tri lokacione në komunën e Zubin Potokut, ku janë gjetur mbetje mortore që dyshohet se u përkasin së paku 23 personave.
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka bërë të ditur se në varrin masiv në Kalludër, në lokacionin e parë, janë gjetur dhe zhvarrosur mbetjet mortore të 13 personave.
Në lokacionin e dytë, në Jabukë, janë gjetur mbetje mortore që dyshohet se u përkasin së paku katër personave, ndërsa në lokacionin e tretë në Kalludër janë gjetur dhe zhvarrosur mbetjet mortore të së paku gjashtë personave.
Sipas Kurtit, tashmë ka nisur faza e identifikimit. Mostrat e mbetjeve mortore që dyshohet se u përkasin katër personave të gjetur në Jabukë janë dërguar për analizë të ADN-së, ndërsa për pjesën tjetër po vazhdojnë ekzaminimet paraprake në Institutin e Mjekësisë Ligjore.
Kurti ka thënë se numri 23 përkon me atë që njihet si “Grupi i Intelektualëve”.
“Numri 23 përkon me atë që njihet si Grupi i Intelektualëve, të cilët më 19 prill të vitit 1999 u ndaluan, u rrëmbyen dhe u pushkatuan nga forcat armike të Serbisë, që u përpoqën të fshehin dhe të zhdukin gjurmët e këtij krimi gjenocidal. Por procesi i identifikimit në tërësi mund të marrë edhe disa muaj kohë, andaj vetëm atëherë do të mund të flasim me saktësi të plotë se për kë bëhet fjalë dhe bashkë me familjet t’u japim një lamtumirë dinjitoze dhe nga një varr me emër e mbiemër”, tha Kurti.
Kryeministri tutje tha se është e papërshkrueshme e dhimbshme pritja kaq e gjatë dhe ankthi i përjetuar nga familjarët e të zhdukurve me dhunë.
“Qindra familje kërkojnë zbardhjen e fatit të më të dashurve të tyre, por kërkojnë edhe drejtësi. Të dyja, zbardhja e fatit sikurse edhe drejtësia, u janë mohuar dhe po u mohohen nga Serbia, që me fshehjen e mospranimin e krimeve, si dhe duke refuzuar të hapë arkivat e duke i klasifikuar ato, synon të tjetërsojë të vërtetën dhe t’i ikë përgjegjësisë”, shtoi Kurti.
Në këtë proces, sipas Kurtit, janë përfshirë institucionet e Kosovës, përfshirë Policinë e Kosovës, Institutin e Mjekësisë Ligjore, Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë, si dhe ekipet mjekoligjore të EULEX-it, të cilët i ka falënderuar për punën e bërë.
Kurti ka kërkuar nga faktori ndërkombëtar që të shtojë trysninë ndaj Serbisë për zbatimin e Deklaratës për Personat e Zhdukur me Dhunë, të dakorduar në Bruksel më 2 maj 2023, si dhe për hapjen e arkivave shtetërore që mund të ndihmojnë në zbardhjen e fatit të personave të zhdukur.
“Serbia arreston dhe përndjek edhe ata pak serbë që kanë guxuar të dëshmojnë tek institucionet ndërkombëtare. Andaj, më shumë se sa në çdo moment tjetër, në momente si ky, faktorët ndërkombëtarë duhet ta shtojnë trysninë ndaj fqinjit tonë verior që të zbatojë Deklaratën për Personat e Zhdukur me Dhunë, të dakorduar në Bruksel më 2 maj 2023, duke hapur dhe vënë në dispozicion arkivat shtetërore që mund të çojnë në zbardhjen e fatit të të pagjeturve. Dhe domosdo më duhet ta përsëris thirrjen për hapjen e arkivit të Brigadës së Motorizuar 37 të Ushtrisë së Jugosllavisë, e cila ka kryer masakra posaçërisht në Drenicë, por edhe gjithandej Kosovës, e dosja e së cilës para 12 vjetësh është klasifikuar për 30 vjet. Pra, ajo mbetet e klasifikuar edhe 18 vjet të tjera”, tha Kurti.
Sipas tij, familjet që kanë pritur 27 dhe 28 vjet nuk mund të dënohen me pritje, ankth e dhimbje edhe për 18 vjet të tjera. Andaj, sipas Kurtit, trysnia ndërkombëtare është jetike në këtë proces.
“Dosjet e arkivuara dhe të klasifikuara të Brigadës së Motorizuar 37 të Ushtrisë së Jugosllavisë duhet të hapen tash nga shteti i Serbisë, pra sivjet në vitin 2026, e jo në vitin 2044”, tha Kurti.
Në vendet ku janë kryer gërmimet, javën e kaluar autoritetet kanë prezantuar edhe një sasi të madhe armatimi të gjetur në afërsi të lokacioneve. Sipas Kurtit, armët janë dërguar për ekzaminim dhe analizë për të përcaktuar nëse mund të kenë lidhje me krimet dhe masakrat e kryera në këto zona.
Kurti ka falënderuar institucionet që kanë kontribuar në hetimin dhe hulumtimin e këtyre lokacioneve, duke përfshirë Komisionin Qeveritar për Persona të Zhdukur, Policinë e Kosovës, AKI-në, Institutin e Mjekësisë Ligjore dhe ekipet e EULEX-it

