ATSH/ Fshati Dardhë në Korçë, është një nga destinacionet turistike të juglindjes së vendit, i vizituar gjatë gjithë vitit për natyrën, klimën dhe karakteristikat tradicionale.
Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale pamje nga fshati piktoresk i Dardhës, duke sjellë në vëmendje bukuritë natyrore dhe peizazhin e gjelbëruar të zonës.
Në fotot e publikuara nga kryeministri, fshati Dardhë shfaqet i rrethuar nga pyje të gjelbra, teksa turistë të shumë kanë zgjedhur këtë vend për të pushuar mes ajrit të pastër dhe freskisë që ofron zona.
Sipas Ramës, Dardha “një nga fshatrat më të bukura të Korçës bubërron nga vizitorë e turistë”.
Fshati Dardhë ndodhet në lartësinë e 1344 metrave dhe 20 kilometra në juglindje të Korçës. Ai është tashmë një nga fshatrat turistikë më surprizues në Shqipëri me një potencial zhvillimi turistik gjithnjë e në rritje.
Dardha është e ndërtuar me shtëpi karakteristike të mbuluara me plloça të hirta. Krahas tyre atje gjenden dhe ndërtesa të reja dhe hotele bashkëkohore. Karakteristikë tjetër janë rrugët e shtruara me kalldrëm. Në Dardhë është ngritur dhe funksionon muzeu, që ekspozon historikun dhe trashëgiminë e fshatit.
Investimet e reja turistike, siç është krijimi i resortit të skive, në zonën e Nikolicës, e kanë kthyer Dardhën në një destinacion me potencial të veçantë të turizmit korçar.

