Nga Vladimir Muçaj:
Mbledhja e Ramës në Pogradec, shqetesim dhe reflektim!
Për dy ditë rresht, kryeministri Edi Rama mblodhi në Pogradec atë që mund të quhet “kupola” drejtuese e Partisë Socialiste: ministra, drejtues politikë të qarqeve, kryetarë të komisioneve parlamentare e drejtues të tjerë të strukturave. Në këtë mbledhje ishte, të paktën virtualisht, edhe Diella.
Në një reflektim të thjeshtë, mendoj se duhet pranuar një fakt: edhe pse situata politike ka rrëshqitur disi nga komforti i viteve të mëparshme, Edi Rama vazhdon ta ketë në kontroll drejtimin politik dhe duket se i njeh mirë shqetësimet që lëvizin në shoqëri. Kjo nuk është pak. Rama, gjatë gjithë karrierës së tij politike, ka treguar se di t’i menaxhojë situatat, si brenda PS-së, ashtu edhe në raport me kundërshtarët e saj. Dhe kjo është një meritë që, pavarësisht bindjeve politike, nuk mund të mohohet.
Por Pogradeci nuk duhet të mbetet thjesht një mbledhje tjetër e radhës.
Nga ato që u thanë, një pjesë e rëndësishme lidhet me performancën e njerëzve të emëruar në poste të rëndësishme dhe me nevojën për të zëvendësuar drejtues që, siç u shpreh vetë Rama, prej kohësh janë ulur në të njëjtën karrige dhe duket se janë konsumuar.
Këtu nis reflektimi im.
Nëse Rama ka kuptuar se disa prej zgjedhjeve të tij në vite nuk kanë rezultuar të suksesshme, atëherë kjo është një shenjë pozitive. Sepse një lider politik nuk matet vetëm nga aftësia për të fituar zgjedhjet, por edhe nga aftësia për të pranuar se disa njerëzve u ka dhënë besim më shumë nga sa e kanë merituar.
Por, në të njëjtën kohë, përgjegjësia politike për këto zgjedhje mbetet sërish te Rama.
Prandaj, pas Pogradecit, nuk mjaftojnë vetëm fjalët për ndryshim. Duhen prova.
Qeverisja, veçanërisht në nivelin bazë, ka nevojë për energji të re, për njerëz që të mos jenë të lodhur nga pushteti dhe, mbi të gjitha, për drejtues që të mos e shohin karrigen si destinacion, por si përgjegjësi.
Rama duhet të jetë më radikal me të vetët.
Jo domosdoshmërisht duke ndryshuar për hir të ndryshimit, por duke kërkuar rezultate, përgjegjshmëri dhe një raport shumë më të drejtpërdrejtë me qytetarin.
Nuk do të ishte aspak keq që në këtë “reflektim” të Pogradecit të kishte vend edhe për profile të reja. Njerëz më pak të konsumuar, profesionistë që mund të jenë pranë Partisë Socialiste, por që duhet të jenë shumë më pranë halleve të njerëzve. Sepse në fund të fundit, qeverisja nuk matet me numrin e mbledhjeve që zhvillohen, por me atë që ndryshon në jetën e qytetarit.
Kjo është ndoshta sfida më e madhe e Ramës në këtë fazë: të rikuperojë ato boshllëqe që janë krijuar në qeverisje, të ringjallë administratën dhe t’i japë sistemit një vrull të ri.
Pogradeci, me freskinë e Liqenit dhe qetësinë e tij, mund të jetë një vend shumë i mirë për reflektim. Por qytetarët nuk presin vetëm reflektime. Presin rezultate.
Nëse nga ajo mbledhje dalin ndryshime reale, njerëz të rinj, më shumë përgjegjësi dhe një qeverisje që dëgjon më mirë qytetarin, atëherë Rama do të ketë bërë një hap të rëndësishëm përpara.
Nëse jo, atëherë gjithë kjo do të mbetet vetëm një tjetër mbledhje e gjatë, me shumë fjalë e pak ndryshime.
Dhe në fund, duke e thënë me pak humor, siç e kërkon edhe freskia e Pogradecit:
Ju bëftë mirë peshku Koran dhe ajri i pastër liqenor! Por qytetarët presin që pas Pogradecit të ndiejnë edhe ajrin e freskët të një qeverisjeje më të mirë.

