Një vit më parë, arti dhe kultura shqiptare humbën një prej figurave të tyre më të shquara, Dhimitër Anagnostin.
Gazetari dhe publicisti Aleksandër Çipa e kujton Mjeshtrin me këto fjalë:
“Shkoi një vit, Mjeshtër Anagnosti…, por Ti tani je në pakohësi.
Ne të mishmit mund të jetojmë me kalendarin që kanë përcaktuar frymorët…
Shenja jote nën mermer, atje në Vuno, është prej ulliri, e përhershme.
Pranë ke Mjegulloshin dhe Detin, si dy ortakë që i shkojnë për pranëndjenjë madhështisë dhe përjetësisë së artit tënd.
Sa më e gjatë koha në rrjedhje, aq më e imponueshme vepra jote në art; për të gjallët që le, për ata që janë dhe ata që do të vijnë.
Si tha Frederik Reshpja?! “Mos e pastë askush këtë fat!”
Në fakt, bëhet fjalë për mallkimin e bukur që bëhet fat, për artistë të përjetshëm si Anagnosti.
Një vit kalendarik nuk është shumë, por në shpirtin e ndjenjën e njerëzve që të duan, është shumë.
Sepse, dhimbshëm, masim mungesën fizike të përzgjatshme!!!
Ndërsa në të përhershmen jetë të komunikimit me Ty, jemi me veprën dhe ajo na imponohet e na shfaqet, sikundër deti përposh në Jal, sikundër Mjegulloshi sipër mbi Vuno, sikundër ulliri në brigje e sikundër qeparisi mbi mermer!..
Por, ndërsa ne kalojmë aty dhe sikur kërkojmë siluetën tënde në horizontin jonian, e dimë se Ti, si në një kangjelë dionisiake dhe elegji Bregdeti, nën dhe, mërmërit diçka për Rozën dhe dy bijat besnike.
Mjeshtër, në udhëtimin e jetës dhe të njerëzisë në shqipe, Ti je shenjë e përjetshme si Anagnost…!
Në kohën e amëshimtë po të kuptojmë më shumë…, tamam si një ulli dhe “pemë të përjetshme”!
Si thua diku?!
“Jemi si gjethja në erë / që s’e dimë se ku do bjerë!”
Dhimitër Anagnosti mbetet. Mbetet në filmin shqiptar, në kujtesën tonë dhe në kulturën që la pas.
Mbetet në përjetësi.

