Ministria e Punëve të Brendshme mbajti takim lidhur me zbatimin e fushatës “Festo me zemër, jo me armë” dhe intensifikimin e aktiviteteve në bashkësi me anëtarët e forumeve të sigurisë së qyteteve të rajonit të Prishtinës.
Sipas njoftimit, takimin e hapi zëvendësministri i Punëve të Brendshme dhe Koordinatori Kombëtar i Strategjisë për Armë të Vogla dhe të Lehta, Enver Dugolli, i cili bëri thirrje për angazhim të përbashkët të institucioneve, shoqërisë civile, mediave dhe qytetarëve në parandalimin e përdorimit të armëve në festa dhe ahengje.
“Vetëm përmes një qasjeje të përbashkët dhe të koordinuar mund të parandalojmë pasojat serioze që mund të vijnë nga posedimi i paligjshëm i armëve dhe veprimet e tjera kundërligjore, duke kontribuar kështu në rritjen e sigurisë dhe mirëqenies së përbashkët”, theksoi zëvendësministri Dugolli.
Dugolli tha se përdorimi i armëve gjatë festimeve është i kundërligjshëm dhe mund të ketë pasoja fatale. Ai paralajmëroi se fushata do të intensifikohet edhe gjatë muajve në vijim, me fokus të veçantë te të rinjtë dhe shkollat.
Në takim morën pjesë përfaqësues të UNDP-së, Policisë së Kosovës, KKSB-së dhe KLSP-ve.
“Sipas të dhënave zyrtare të Policisë së Kosovës, gjatë muajve qershor-korrik 2026 është shënuar rritje e rasteve të lidhura me përdorimin e armëve 83.3% rritje e raportimeve për të shtëna me armë gjatë ahengjeve dhe festave familjare, 41.2% rritje e personave të ndaluar nga Policia, 56.7% rritje e numrit të armëve të konfiskuara”, thuhet në njoftim.
Në takim u theksua se raportimi i rasteve nga qytetarët është rritur si rezultat i fushatave ndërgjegjësuese, ndërsa institucionet thanë se bashkëpunimi me komunitetin mbetet kyç për parandalimin e incidenteve me armë.

