Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës (IHMK) ka njoftuar se dita e diel do të karakterizohet me mot kryesisht me diell dhe vranësira të pakta, kryesisht në zonat malore.
Sipas parashikimit të IHMK-së, nuk priten reshje shiu, ndërsa temperaturat gjatë ditës do të mbeten të larta. Në anën tjetër, natët gjatë këtyre ditëve kanë filluar të freskohen gradualisht krahasuar me ditët e fundit.
Temperaturat minimale do të lëvizin nga 10 deri në 15 gradë Celsius, ndërsa maksimalet pritet të arrijnë nga 28 deri në 31 gradë Celsius.
Era do të fryjë e dobët deri mesatare, kryesisht nga drejtimet veriore dhe verilindore, me shpejtësi prej 1 deri në 5 metra në sekondë.
IHMK vlerëson se kushtet biometeorologjike do të jenë kryesisht të mira dhe të favorshme.
Kushtet agrometeorologjike do të jenë kryesisht të favorshme për punët bujqësore, veçanërisht për vjeljen dhe pjekjen e kulturave. Mungesa e reshjeve dhe temperaturat e larta gjatë ditës mund të rrisin nevojën për ujitje te kulturat që vazhdojnë të jenë në fazat aktive të zhvillimit.
Ndërkohë, indeksi UV do të jetë kryesisht mesatar deri i lartë, në vlerat 5–6, me intensitet më të madh gjatë orëve të mesditës.
IHMK rekomandon mbrojtje nga ekspozimi i zgjatur ndaj rrezatimit të drejtpërdrejtë diellor.

