Wednesday, September 9, 2026
HomeLajmeKosovëKurti: Marrëveshja politike është arritur, por ende duhen votat për presidentin

Kurti: Marrëveshja politike është arritur, por ende duhen votat për presidentin

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje dhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka deklaruar se partitë kanë arritur një marrëveshje politike për tejkalimin e situatës institucionale, por ka theksuar se marrëveshja duhet të përkthehet edhe në vota konkrete në Kuvend.

Para nisjes së seancës konstituive, Kurti tha se qëllimi kryesor është shmangia e zgjedhjeve të reja, ndërsa për këtë, sipas tij, nuk mjafton vetëm konstituimi i Kuvendit dhe formimi i Qeverisë.

“Marrëveshje politike kemi, këtë e kemi kërkuar, por natyrisht që marrëveshja politike duhet që na i sigurojë edhe numrat, në mënyrë që t’i evitojmë zgjedhjet e reja”, tha Kurti.

Ai theksoi se një tjetër hallkë vendimtare është zgjedhja e presidentit, pasi pa përfundimin e këtij procesi vendi mund të përballet sërish me zgjedhje.

“Konstituimi i Kuvendit edhe formimi i Qeverisë nuk i eviton zgjedhjet e reja, nëse nuk e zgjedhim edhe Presidentin”, u shpreh ai.

Kurti bëri të ditur se për zgjedhjen e presidentit kërkohet prania e dy të tretave të deputetëve në sallë, duke e cilësuar këtë si një nga sfidat kryesore të marrëveshjes së arritur mes subjekteve politike.

Sipas tij, për kandidatin e përbashkët të propozuar nga marrëveshja, profesorin Bekim Sejdiu, duhet të sigurohet pjesëmarrja e të gjithë deputetëve që janë pjesë e marrëveshjes, ose të gjenden vota shtesë.

“E kemi të domosdoshme që t’i kemi aty të gjithë deputetët e marrëveshjes, për kandidatin tonë të përbashkët, profesor Bekim Sejdiun, ose të kemi edhe deputetë shtesë”, deklaroi Kurti.

Pavarësisht se numrat ende mbeten një çështje e hapur, Kurti tha se Vetëvendosje do t’i përgjigjet pozitivisht thirrjes për vazhdimin e seancës konstituive.

“Meqenëse kemi marrëveshje politike dhe kryesuesi i seancës, deputeti më i moshuar Avni Dehari, e ka thirrur seancën konstituive, ne i përgjigjemi pozitivisht asaj”, tha ai.

RELATED ARTICLES

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Most Popular

Recent Comments

Instagram