Wednesday, September 9, 2026
HomeLajmeKosovëZemaj: Nuk do të votojmë pro zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit nga...

Zemaj: Nuk do të votojmë pro zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit nga LVV-ja

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Armend Zemaj, ka paralajmëruar se seanca e sotme konstituive e Kuvendit mund të shoqërohet me zhvillime të papritura politike nga Lëvizja Vetëvendosje dhe lideri i saj, Albin Kurti.

Duke folur për situatën institucionale në vend, Zemaj ka thënë se ekzistojnë dilema për respektimin e afateve kushtetuese. Megjithatë, sipas tij, partitë politike kanë treguar gatishmëri për të kontribuar në krijimin e institucioneve të reja, duke u bazuar në mirëbesim.

“Ekziston besimi se ka shkelje të Kushtetutës për shkak të afateve, por vullneti politik i subjekteve ka qenë që Kosovës t’i japim institucione, në frymën e mirëbesimit”, është shprehur Zemaj.

Ai ka ngritur shqetësimin se Vetëvendosje dhe Kurti mund të ndërmarrin veprime që, sipas tij, do të mund të cenonin interesat e qytetarëve.

“Kurthet politike në dëm të interesave të qytetarëve të Kosovës nga Lëvizja Vetëvendosje dhe Albin Kurti mund të jenë të pritshme edhe në seancën e sotme”, ka deklaruar ai.

Ndërkohë, Zemaj ka bërë të qartë se LDK-ja nuk ka ndryshuar qëndrimin e saj sa i përket konstituimit të Kuvendit dhe formimit të Qeverisë.

Ai ka theksuar veçanërisht se deputetët e LDK-së nuk do ta mbështesin kandidatin e Vetëvendosjes për kryetar të Kuvendit.

“Ne nuk kemi pasur asnjë ndryshim të qëndrimit nga propozimet që kanë qenë në fillim. Nuk do të votojmë pro zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit nga Lëvizja Vetëvendosje. Ky është vendim dhe nuk ka ndryshuar”, ka thënë Zemaj.

Sipas tij, nëse ndonjë deputet ka ndryshuar qëndrim personalisht, kjo mbetet çështje e vullnetit individual, por pozicioni zyrtar i LDK-së, siç ka deklaruar ai, mbetet i pandryshuar.

RELATED ARTICLES

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Most Popular

Recent Comments

Instagram