Trepça Sh.A. ka rikthyer në menaxhimin e saj dy lokale në Sheshin e Mitrovicës së Veriut, në rrugën “Koloshini”, të cilat për 27 vite kishin qenë jashtë menaxhimit të ndërmarrjes.
Sipas njoftimit të Trepçës, rikthimit të kësaj prone i ka paraprirë njoftimi zyrtar i datës 27 gusht 2026, përmes të cilit ndërmarrja, duke u bazuar në të dhënat e Certifikatës së Pronësisë, kishte kërkuar lirimin e pronës brenda afatit të përcaktuar dhe paraqitjen e dokumentacionit që dëshmon të drejtën e shfrytëzimit të saj.
Trepça ka bërë të ditur se ky rikthim është pjesë e angazhimit të vazhdueshëm për mbrojtjen, rikthimin dhe administrimin e pronës së ndërmarrjes.
Ky proces vjen pas lirimit të pesë objekteve të tjera gjatë periudhës së fundit, duke shënuar një seri veprimesh për kthimin e pronave nën menaxhimin e Trepçës Sh.A.
“27 vite jashtë menaxhimit. Sot, përsëri nën menaxhimin e Trepçës”, thuhet në njoftimin e ndërmarrjes.

