Forcat mbrojtëse ukrainase goditën kompleksin e magazinimit Ozon në qytetin rus të Saratovit dhe uzinën kimike Volgogradpromproekt në Volgograd gjatë natës, njoftoi prodhuesi ukrainas i armëve Fire Point.
“Forcat Mbrojtëse të Ukrainës shkatërruan një tjetër kompleks deposh të Ozonit gjatë natës duke përdorur dronë FP-1, këtë herë në Saratov. Sipërfaqja e depos së shkatërruar ishte 85,000 metra katrorë. Kompleksi ishte projektuar për të ruajtur më shumë se 30 milionë artikuj”, raportoi Fire Point.
Fabrika nën sanksionet e SHBA-së
Fire Point njoftoi gjithashtu se raketat e tyre kruz FP-5 Flamingo goditën uzinën Volgogradpromproekt në Volgograd.
“Flamingot bënë një vizitë të shkurtër në Volgograd mbrëmë. U regjistruan goditje të drejtpërdrejta të raketave, të cilat shkaktuan një zjarr. Sanksionet ukrainase, si gjithmonë, rezultuan më efektive”, theksuan ata. Pamjet e postuara në mediat sociale nga kanalet që mbulojnë ngjarjet e luftës treguan zjarre që dukeshin se po shpërthenin pranë objektit, por shkalla e dëmit nuk dihet ende.
Guvernatori i rajonit të Volgogradit, Andrey Bocharov, raportoi këtë mëngjes për sulmin në atë rajon. Në të njëjtën kohë, ai tha se “mbeturinat ranë në zonën e një objekti industrial në jug të Volgogradit”. “Shërbimet e emergjencës po punojnë në terren dhe po sanojnë pasojat. Shërbimet e emergjencës dhe administrata e qytetit u urdhëruan të vlerësojnë dëmet, të sanojnë pasojat dhe të përgatisin objektet për strehim të përkohshëm”, tha Bocharov.
Volgogradpromproekt është nën sanksione të SHBA-së për bashkëpunimin e saj me kompleksin ushtarako-industrial rus. Kompania prodhon katalizatorë djegieje që përmbajnë ferrocen dhe zhvillon teknologji për prodhimin e kimikateve.

