Lëvizja Vetëvendosje ka bërë të ditur se Kryesia e saj ka mbajtur sonte mbledhje të jashtëzakonshme, në të cilën është vendosur që në vazhdimin e seancës konstituive të Kuvendit të votohen kandidatët e PDK-së dhe LDK-së për nënkryetarë, Vlora Çitaku dhe Kujtim Shala.
Sipas njoftimit të LVV-së, në mbledhje është konstatuar se vendi ndodhet në momente vendimtare për stabilitetin institucional pas zgjedhjeve të 7 qershorit dhe për parandalimin e zgjedhjeve të reja.
“U konstatua që ndodhemi në momentet vendimtare për t’i dhënë vendit stabilitet institucional pas zgjedhjeve të 7 qershorit dhe për të parandaluar edhe një palë zgjedhje të reja, të panevojshme për shtetin e qytetarët dhe të kushtueshme për buxhetin e të ardhmen. Zgjedhjet e parakohshme të përsëritura do të ishin të katërtat në më pak se dy vjet”, thuhet në njoftim.
LVV-ja ka bërë të ditur se vazhdimi i seancës konstituive është caktuar për nesër në orën 10:00.
Sipas kësaj partie, ajo ka qenë dhe mbetet e gatshme të votojë për nënkryetarë të Kuvendit nga radhët e PDK-së dhe LDK-së kandidatë që nuk e bojkotojnë zgjedhjen e presidentit.
“Megjithëkëtë, kryesia e LVV mori vendim që nesër të votojmë kandidatët e PDK-së dhe LDK-së, Vlora Çitaku dhe Kujtim Shala. Presim që pas konstituimit të kuvendit ky hap i vullnetit të mirë të reflektojë në konstruktivitet të tyre duke votuar për president, qoftë ajo edhe votë kundër”, ka njoftuar LVV-ja.
Vetëvendosje ka rikujtuar se në vitin 2025, si subjekt fitues së bashku me partnerët e koalicionit parazgjedhor dhe deputetë të pakicave, kishte 57 deputetë.
Sipas LVV-së, duke zbatuar aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese, emri i kandidatit të saj për kryetar të Kuvendit ishte ndryshuar katër herë para zgjedhjes së Dimal Bashës më 26 gusht.
“Refuzimi i partive opozitare për Albulena Haxhiun asokohe u pasua edhe me refuzim të Donika Gërvallës, Hekuran Muratit e Arbërie Nagavcit”, thuhet në njoftim.
LVV-ja ka thënë se ka vendosur t’i votojë Çitakun dhe Shalën edhe nëse nuk ndryshohen emrat e kandidatëve të propozuar.
“Nesër në mëngjes deputetët e PDK-së porsa ta ripropozojnë Vlora Çitakun, e cila edhe ashtu i ka edhe dy mundësi, ne do ta votojmë”, ka bërë të ditur Vetëvendosje.
Në fund, LVV-ja ka thënë se shpreson që edhe Kujtim Shala të marrë pjesë në seancën kur do të votohet për Bekim Sejdiun për president.
“Gjithashtu, shpresojmë që edhe deputeti Kujtim Shala, nënkryetar i ardhshëm i kuvendit, të marrë pjesë në seancën kur do të votohet për Bekim Sejdiun president sipas marrëveshjes LVV-LDK”, thuhet në njoftim.

