Për të 13-tën natë me radhë, mijëra qytetarë janë mbledhur edhe të hënën në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, në mbështetje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, nën moton “Jo në emrin tim”.
Çlirim Haziri, njëri nga organizatorët, tha se pasuria e Kosovës është populli i Kosovës. Ai tha se kur popullit të Kosovës i preket identiteti i tij, ai qëndron. Haziri theksoi se populli i Kosovës është kalitur nën peshën e historisë. Sipas tij, nuk mund të burgoset historia e popullit.
Haziri, ka kërkuar nga deputetët e Kuvendit të Kosovës që të ndërmarrin veprime konkrete lidhur me Dhomat e Specializuara.
Ai ka thënë se personat që po përballen me proceset në Hagë janë mijëra kilometra larg Kosovës, ndërsa sipas tij përgjegjësia e qytetarëve në Kosovë është mbrojtja e vendit dhe e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ai ka folur edhe për deklaratën e miratuar nga Kuvendi i Kosovës lidhur me aktgjykimin e Dhomave të Specializuara, duke theksuar se ajo shpreh një qëndrim politik, ndërsa ligji, sipas tij, do të prodhonte pasoja konkrete.
Ndryshe, protestat janë zhvilluar në ditët e fundit në Prishtinë dhe qytete të tjera të Kosovës, me pjesëmarrësit që kanë shprehur kundërshtimin e tyre ndaj aktgjykimit dhe kanë kërkuar drejtësi për ish-krerët e UÇK-së.
Ndërkaq, Kuvendi i Kosovës sot ka miratuar me 99 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, deklaratën lidhur me aktgjykimin e Dhomave të Specializuara në Hagë ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi.
Në deklaratë, Kuvendi shpreh shqetësimin e tij të thellë për aktgjykimin e shkallës së parë. Ai ngre shqetësime edhe për mungesën e transparencës dhe shkeljen e standardeve të gjykimit të drejtë. Kuvendi e konsideron të papranueshëm përfundimin për ekzistencën e një qëllimi kriminal të përbashkët, si dhe përgjegjësinë që, mbi atë përfundim, i është atribuuar secilit prej tyre.
Përmes deklaratës, Kuvendi u kërkon të gjitha institucioneve shtetërore të ndërmarrin veprimet e nevojshme për mbrojtjen e së vërtetës dhe të pastërtisë së luftës çlirimtare. Ai bën thirrje për hartimin e një strategjie të përbashkët shtetërore, me veprime juridike, institucionale dhe diplomatike.
Deklarata rikujton se lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës lindi në rrethanat e represionit dhe krimeve të regjimit të Slobodan Millosheviqit. Ajo thekson rëndësinë vendimtare të ndërhyrjes së NATO-s për ndalimin e dhunës dhe çlirimin e Kosovës, si dhe bashkëpunimin e saj me UÇK-në.
Kuvendi vlerëson gjithashtu se Dhomat e Specializuara kanë dalë jashtë mandatit për të cilin Kuvendi pranoi themelimin e tyre. Deklarata kundërshton çdo përpjekje për të përmbysur të vërtetën historike të Kosovës ose për ta vënë në dyshim luftën e saj çlirimtare. Në përmbyllje,
Kuvendi zotohet të mbrojë pa kompromis të vërtetën e luftës çlirimtare si dhe të drejtën e të dënuarve për një gjykim të drejtë i cili përmbush standardet e kërkuara.



