Zejdush Kastrati
doli im në gazetari – Maksi
Ka kujtime që nuk plaken.
Mund të kalojnë vite, dekada, të ndryshojnë njerëzit, sistemet, pushtetet e edhe vetë mënyra se si e shohim botën, por disa njerëz mbeten aty ku i kemi njohur për herë të parë.
Për mua, njëri prej tyre është Maksut Shehu – Maksi.
Sa herë e kujtoj, më kthehet para syve një pjesë e rinisë sime, një korridor i “Rilindjes”, një zyrë në katin e katërt dhe një njeri thatanik, në shikim të parë i rreptë, por me një zemër të madhe.
“Rilindja” – më shumë se një gazetë
Në vitet e monizmit kishte censurë. Kjo është e padiskutueshme.
Media në gjuhën shqipe ishte e kufizuar dhe gazetaria nuk mund të ishte e lirë në kuptimin që e njohim sot.
Por, edhe në atë kohë, kishte gazetarë dhe redaktorë që dinin ta ruanin dinjitetin e profesionit.
Kishte njerëz që e kuptonin se gazetaria nuk ishte vetëm vend pune.
Ishte përgjegjësi.
Ishte mision.
Dhe, në rrethana të caktuara, ishte edhe mënyrë për ta mbrojtur të vërtetën dhe çështjen kombëtare.
Për mua, “Rilindja” ishte më shumë se gazetë.
Ishte akademi.
Ishte institucion.
Ishte një botë ku ëndërroja të hyja që nga bankat e shkollës së mesme.
Në vitin 1982, pas konkursit të shpallur nga “Rilindja”, pata fatin të pranohem, bashkë me pesë kandidatë të tjerë, si gazetar-praktikant.
Ishte një nga ato ditë që njeriu i mban mend gjithë jetën.
Por gëzimi nuk zgjati shumë.
Takimi me Maksin
Vetëm pas pesë ditësh në redaksi, më thirrën në zyrën e kryeredaktorit.
Më përcolli zonja Lavdia.
Një grua me sjellje shembullore.
Ma hapi derën dhe më tha:
— Maksi po të pret.
Isha rreth 22 vjeç.
Kisha emocione.
Hyra.
Maksi u ngrit në këmbë, më përshëndeti dhe më ftoi të ulesha pranë një tavoline të madhe. Më ofroi kafe. Pastaj, pasi sekretarja Naxhije Shala i solli një dosje, u ul përballë meje.
Më pyeti për familjen.
Më pyeti edhe për një të afërmin tim që punonte në “Rilindje”, për të cilin foli me respekt.
Pastaj erdhi lajmi.
Një lajm që ma preu gëzimin në mes.
— Je pranuar në gazetë, por kemi një problem. Nga Komiteti ka ardhur një shkresë. Nuk mund ta lëshojmë vendimin, sepse sipas tyre ti ke qenë pjesëmarrës në demonstratat e vitit 1981.
Nuk ishte e vërtetë.
E përjetova rëndë.
Për mua “Rilindja” ishte ëndërr.
Dhe tani, një shkresë mund ta rrëzonte atë ëndërr.
I thashë Maksit se kisha qenë vetëm një vëzhgues, rastësisht dhe nga kureshtja, për të parë se çfarë po ndodhte gjatë tubimeve studentore.
Ai më dëgjoi.
Pastaj hapi dosjen.
Më tregoi listën.
Ishte lista e përpiluar nga Komiteti.
Në të ishin shumë emra.
Në mesin e tyre edhe emri im.
Edhe sot e ruaj atë listë. E shkruar me cirilik.
Jo si një dokument.
Por si një kujtim të një kohe.
Kur një kryeredaktor bëhej mburojë
Maksi nuk më tha:
“Ky është vendimi. Nuk mund të bëjmë asgjë.”
Përkundrazi.
Më kërkoi një rrugë tjetër.
— Vazhdo si bashkëpunëtor. Do të paguhesh me honorar. Pas disa muajsh, do të shohim mundësinë të të transferojmë në Gjilan si korrespondent.
Pranova.
Nuk kisha alternativë tjetër.
Dhe kështu vazhdova.
Deri në vitin 1984 punova edhe nga Gjilani.
Mora honorar pothuajse sa gazetarët e rregullt.
Por më e rëndësishmja ishte se po punoja.
Po mësoja.
Po hyja në profesion.
Dhe po mësoja nga njerëz që gazetarinë e kishin përjetuar si profesion dhe jo si dekor.
Maksi më dha shumë këshilla.
Më mësoi si të raportoja.
Si të shkruaja.
Si të trajtoja proceset gjyqësore.
Por më tha edhe një gjë që, për kohën, kishte peshë të madhe:
“Kur vjen në redaksi, ki kujdes me kë takohesh dhe çka flet.”
Ai e dinte se ku jetonim.
E dinte sistemin.
E dinte se edhe një fjalë mund të kishte pasoja.
Edhe një përpjekje për mua
Kur erdhi koha të më dërgonin në shërbimin ushtarak, Maksi nuk u mjaftua vetëm me këshilla.
Shkoi enkas në Gjilan.
Bisedoi me udhëheqësit komunalë.
U përpoq të gjente një mënyrë që unë të vazhdoja si korrespondent.
Nuk ia doli.
Nuk gjeti mbështetje.
Dhe më erdhi ftesa për ushtri.
Para se të shkoja, u takuam rastësisht në ashensorin e “Rilindjes”.
Më duket se ishte pak nën ndikimin e alkoolit.
Më përqafoi dhe më tha:
“Kur të kthehesh nga ushtria, lajmëromu. Se kalitesh dhe gjërat, besoj, marrin të mbarën…”
Kaq.
Nuk kishte nevojë për fjalime.
Nuk kishte nevojë për deklarata të mëdha.
Ato pak fjalë mjaftonin.
Ky ishte Maksi për mua
Nuk e harrova kurrë.
Mbase sepse në atë moshë nuk harrohen njerëzit që të japin dorën kur ke nevojë.
Por edhe sepse Maksi nuk ishte vetëm kryeredaktor.
Për mua ishte model i gazetarit dhe i njeriut të profesionit.
Në pamje të parë i rreptë.
Në të vërtetë, i hareshëm.
Bindës.
Dinjitoz.
Dhe, mbi të gjitha, shpirtbardhë.
Po sot?
Këtu fillon pyetja që më shqetëson.
Cili medium sot do të bënte diçka të tillë për një gazetar të ri?
Cili kryeredaktor do të rrezikonte pozitën e vet për ta mbrojtur një gazetar?
Cili do të përpiqej të gjente një rrugë që ai të mos largohej nga profesioni?
Cili do ta mbronte të vërtetën edhe atëherë kur kjo mund t’i kushtonte?
Sot nuk kemi më Komitete që dërgojnë shkresa për të vendosur se kush mund të punojë e kush jo.
Por kjo nuk do të thotë se censura ka vdekur.
Ajo vetëm ka ndërruar adresë.
Sot, shumë herë, censura vjen nga pronarët.
Nga interesat ekonomike.
Nga politika.
Nga pushteti.
Nga frika.
E, fatkeqësisht, edhe nga disa kryeredaktorë që në vend se të jenë mburojë e gazetarit, bëhen mburojë e pronarit.
Kryeredaktorë puthadorë.
Servilë.
Media që e harrojnë misionin.
Gazetarë që detyrohen të mendojnë dy herë para se të shkruajnë një të vërtetë.
Dhe pushtetarë që, sapo marrin pushtetin, një nga synimet e para e kanë kontrollin e informacionit.
Mediat duan t’i fusin në sqetull.
Jo për t’i zhvilluar.
Por për t’i përdorur.
Nga censura e Komitetit te censura e interesit
Ndoshta kjo është ironia më e madhe e kohës sonë.
Dikur e dinim kush ishte censori.
Sot shpesh nuk e dimë.
Dikur vinte një shkresë.
Sot mjafton një telefonatë.
Dikur të thoshin se çfarë nuk mund të shkruaje.
Sot ndonjëherë nuk ta thonë fare.
Thjesht e kupton.
Dhe kjo është shumë më e rrezikshme.
Sepse gazetaria nuk vdes vetëm kur ndalohet fjala.
Gazetaria vdes edhe kur gazetari fillon të vetëcensurohet.
Prandaj, sa herë kthehem në ato vite dhe kujtoj Maksin, nuk kujtoj vetëm një kryeredaktor.
Kujtoj një standard.
Kujtoj një mënyrë të sjelljes.
Kujtoj një kohë kur, edhe në një sistem të mbyllur, kishte njerëz që dinin të ishin njerëz.
Dhe ndoshta kjo është ajo që na mungon më së shumti sot.
Jo vetëm liria.
Por karakteri për ta përdorur lirinë me përgjegjësi.
Maksi më mësoi se gazetari duhet të ketë kujdes çfarë shkruan.
Por mbi të gjitha duhet të ketë kujdes përse shkruan.
Sepse e vërteta nuk mund të jetë në shitje.
Gazetaria nuk mund të jetë në shërbim të pronarit.
Dhe kryeredaktori nuk duhet të jetë shërbëtor i pushtetit.
Duhet të jetë mbrojtës i gazetarit, i profesionit dhe i publikut.
Kjo është gazetaria.
Kjo është përgjegjësia.
Ky ishte Maksi për mua.
Idoli im në gazetari.
Dhe sot, pas kaq shumë vitesh, kur e kujtoj, kam vetëm një pyetje:
Ku mbeti ajo gazetari?
Ku mbeti ai kolegialitet?
Ku mbeti ai dinjitet?
Ku mbeti njerzillëku?
Ndoshta dikush do të thotë se koha ka ndryshuar.
Po.
Koha ka ndryshuar.
Por disa gjëra nuk duhet të ndryshojnë kurrë:
E vërteta.
Etika.
Profesioni.
Dinjiteti.
Dhe njeriu.
Maksi i kishte.
Prandaj mbeti Maksi.

