Kryeprokurori i Shtetit, Zejnulla Gashi, ka zhvilluar takim me ushtruesin e detyrës së Kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, Dren Paca, pas marrjes së detyrës.
Sipas Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Gashi i ka uruar Pacës punë të mbarë dhe sukses në detyrën e re.
Gjatë takimit, të dy zyrtarët janë dakorduar për intensifikimin e përpjekjeve të përbashkëta institucionale në luftimin e korrupsionit të nivelit të lartë, krimit të organizuar, terrorizmit, krimeve të luftës dhe formave të tjera komplekse të kriminalitetit.
Në fokus të diskutimeve ka qenë edhe forcimi i bashkëpunimit juridik ndërkombëtar me partnerët strategjikë të Kosovës, veçanërisht në luftimin e krimeve transnacionale që cenojnë sigurinë dhe sundimin e ligjit.
Sipas njoftimit, krahas ndjekjes penale, prioritet do të jetë edhe zhvillimi i hetimeve financiare, si dhe gjurmimi, sekuestrimi dhe konfiskimi i pasurisë së paligjshme të fituar përmes veprave penale që janë në kompetencë të Prokurorisë Speciale.
Në takim është theksuar gjithashtu nevoja për zbatim efektiv të Ligjit për Kompetencat e Zgjeruara të Konfiskimit të Pasurisë.

