Monday, October 5, 2026
HomeLajmeKosovëKurti: Për Hagën na duhet strategji shtetërore e kombëtare

Kurti: Për Hagën na duhet strategji shtetërore e kombëtare

Kryeministri Albin Kurti ka thënë se çështja e ndryshimit të Ligjit për Dhomat e Specializuara do të duhej të trajtohet me kujdes dhe jo me nguti, por ka thënë se do t’i japin mbështetje iniciuesve të ndryshimit.

Duke folur në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit, ku po shqyrtohet në lexim të parë Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, Kurti tha se koha në dispozicion për analizimin e projektligjit ka qenë e shkurtër.

Ai tha se, sipas tij, ndryshimet e propozuara janë të ngutshme, duke theksuar se ende nuk është publikuar aktgjykimi në formën e tij të plotë.

“Ne konsiderojmë se këto lëvizje për ndryshimin e ligjit për Gjykatën Speciale janë të ngutshme dhe nuk janë analizuar e menduar sa duhet”, tha Kurti.

Sipas tij, veprime të ngutshme janë bërë edhe në vitin 2013 dhe më pas në vitin 2015, kur u votua krijimi i Dhomave të Specializuara.

Kurti tha se Lëvizja Vetëvendosje e kishte kundërshtuar themelimin e Gjykatës Speciale që në fillim, por se tani po e mbështet projektligjin.

“Ne e kemi kundërshtuar Gjykatën Speciale që në fillim, por atëherë nuk e kishim mbështetjen tuaj, ndërsa ne po ju mbështesim sot”, tha ai.

Ai shtoi se mbështetja është dhënë edhe për rezolutën në Kuvend dhe për procedimin e projektligjit nga Qeveria në Kuvend.

Kurti tha se nuk është i bindur për dobishmërinë e projektligjit, por se nuk do ta pengojë miratimin e tij në lexim të parë.

“Ne nuk jemi të bindur për dobinë e këtij ligji. E dimë që ju besoni në të dhe ne duam të besojmë besimin tuaj”, tha kryeministri.

Ai kërkoi që të merret parasysh edhe pasoja e mundshme e ndryshimeve ligjore.

“Nuk mjafton vetëm të reagojmë ndaj një padrejtësie, por duhet të sigurohemi që duke tentuar ta korrigjojmë një gabim, të mos e prodhojmë një tjetër”, tha Kurti.

Kurti: Adresa e fitores është Apeli

Kryeministri tha se beteja juridike për rastet në Hagë duhet të zhvillohet përmes një organizimi dhe strategjie shtetërore e kombëtare.

“Të nderuar kolegë nga Qeveria dhe deputetë të Kuvendit, adresë e fitores është Apeli. Aty dilet triumfues. E për fitore nevojitet organizim dhe strategji”, tha Kurti.

Sipas tij, organizimi nuk duhet të jetë partiak apo joqeveritar.

“Organizimi duhet të jetë shtetëror e kombëtar dhe strategjia duhet të jetë shtetërore e kombëtare”, u shpreh ai.

Kurti tha se veprimet pa strategji mund të prodhojnë vetëm reagime, ndërsa Kosovës i duhet sukses në proceset gjyqësore.

Ai tha se mbështetja e projektligjit duhet të shërbejë si pikënisje për një strategji të përbashkët.

“Prandaj ne po e mbështesim këtë projektligj pikërisht që menjëherë edhe pa zgjedhjen e Presidentit të ulemi bashkë për strategji shtetërore e kombëtare për të na nxjerrë fitimtarë”, tha ai.

Kurti e lidhi çështjen e Hagës edhe me funksionalitetin institucional të Kosovës.

“Duhet ligj për gjykatën në Hagë, por duhet edhe President për Kosovën. Njëra pa tjetrën mund të jetë shumë e dëmshme”, tha ai.

Sipas tij, Kosova nuk mund të mbrojë interesat e saj në Hagë nëse njëkohësisht lejon vakum dhe pasiguri institucionale.

“Na duhet një strategji serioze për Hagën, por për ta zbatuar atë strategji na duhen institucione funksionale, një President që garanton vazhdimësinë kushtetuese dhe një qeverisje stabile”, deklaroi Kurti.

Ai paralajmëroi se miratimi i një ligji për Hagën pa stabilitet institucional dhe pa President të Kosovës, në një situatë me zgjedhje të përsëritura, mund të ketë pasoja negative.

Kurti: Lufta e UÇK-së e drejtë, nuk mund të ketë gjyq për të

Në pjesën e parë të fjalimit, Kurti foli edhe për luftën e Kosovës dhe Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.

Ai e cilësoi luftën e UÇK-së si luftë çlirimtare dhe antikolonialiste Kryeministri ka thënë se lufta e drejtë e popullit tonë ishte luftë çlirimtare dhe antikolonialiste dhe se bartëse e kësaj me luftë ishte Ushtria Çlirimtare e Kosovës.

“UÇK-ja është shprehja më e lartë politiko-ushtarake në historinë tonë çlirimtare që nga Lidhja Shqiptare e Prizrenit. UÇK-ja nuk ishte thjesht përgjigje ndaj suprimimit të autonomisë të Kosovës në vitin 1989, por përgjigje ndaj gjenocidit të katërt të Serbisë ndaj shqiptarëve. Gjenocidi i parë u bë në vitet 1875-1880. I dyti në vitet 1912-1913. I treti në vitet 1944-1946. Dhe i katërti në vitet 1998-1999. Çdo gjenocid i Serbisë ishte më parë i shkruar në letër, e më pastaj i zbatuar në praktikë. Gjithsej janë 24 programe të zyrave të larta të shtetit e të Akademisë Serbe për shfarosjen e shqiptarëve. Andaj konflikti historik me disa luftëra përgjatë një shekulli e gjysmë, nuk ishte midis shqiptarëve dhe serbëve, por midis shqiptarëve si komb dhe Serbisë si shtet. UÇK-ja është emri i kryengritjes së armatosur të shqiptarëve kundër gjenocidit të katërt të Serbisë. Për UÇK-në nuk mund të ketë gjyq”, ka theksuar Kurti.

Në fund të fjalimit, Kurti falënderoi kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamzën, për takimet që i cilësoi konstruktive.

“Duhet të takohemi, duhet të merremi vesh, duhet të ecim përpara të gjithë bashkë”, tha Kurti.

RELATED ARTICLES

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Most Popular

Recent Comments

Instagram