10:58 / 05.10.2026
LDK nuk mbështet ndryshimin e ligjit për Dhomat e Specializuara
Sh.G|RTKlive
Lidhja Demokratike e Kosovës nuk do ta mbështesë nismën për ndryshimin e ligjit që lidhet me Dhomat e Specializuara të Kosovës. Shefja e Grupit Parlamentar të LDK-së, Jehona Lushaku Sadriu, tha se përgjegjësia individuale nuk duhet të shndërrohet në fajësi kolektive dhe se karakteri çlirimtar i luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës duhet të mbrohet.
“Për Lidhjen Demokratike të Kosovës, Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe lufta e saj janë të shenjta. Ajo ishte luftë e drejtë për liri, për mbrojtjen e jetës dhe të vendit tonë. Sakrifica e luftëtarëve të lirisë qëndron në themelet e Republikës së Kosovës. Asnjë përgjegjësi individuale nuk mund të shndërrohet në fajësi kolektive e as ta zhbëjë karakterin çlirimtar të kësaj lufte”, tha Lushaku Sadriu.
Ajo theksoi se vendimet institucionale duhet të bazohen në drejtësi dhe në respektimin e të drejtave të të akuzuarve, duke argumentuar se një votim në Kuvend nuk mund të zëvendësojë proceset gjyqësore.
“Pikërisht për këtë, çdo vendim institucional duhet t’i shërbejë drejtësisë, mbrojtjes së të drejtave të të akuzuarve dhe interesit të shtetit të Kosovës. Familjeve dhe qytetarëve u detyrohemi sot për sinqeritet. Nuk mund t’u premtojmë se një votim në Kuvend mund të zhbëjë një aktgjykim apo ta zëvendësojë betejën juridike”, ka thënë ajo.
Sipas Lushaku Sadriut, Dhomat e Specializuara janë të lidhura me një kornizë kushtetuese dhe me detyrime ndërkombëtare të Kosovës.
“Dhomat e Specializuara mbështeten në një kornizë kushtetuese dhe në detyrime ndërkombëtare të Republikës së Kosovës. Ndryshimi i një ligji të zakonshëm nuk i shfuqizon ato detyrime dhe nuk mund ta anashkalojë Kushtetutën e Kosovës. Prandaj, vetë miratimi i ndryshimeve në këtë Kuvend nuk garanton zbatimin e tyre e as rezultatin që u tregohet qytetarëve sot”, tha Lushaku Sadriu.
Ajo ngriti edhe çështjen e kontrollit kushtetues të ndryshimeve të mundshme ligjore dhe paralajmëroi për pasojat që, sipas saj, mund të ketë kjo nismë në aspektin juridik, politik dhe ndërkombëtar.
“Për më tepër, ndryshimet e miratuara nuk mund t’i nënshtrohen kontrollit kushtetues. Avokati i Popullit i Dhomave të Specializuara ka kompetencë t’i referojë ligjet e Dhomave të Specializuara në Gjykatën Kushtetuese për vlerësimin e kushtetutshmërisë së tyre. Nëse dispozitat shpallen antikushtetuese, ato mund të shfuqizohen. Kjo nismë, rrjedhimisht, mund të mos prodhojë efektin juridik që pretendohet, ndërkohë që pasojat e saj politike dhe ndërkombëtare mund t’i mbesin shtetit të Kosovës”, thotë ajo.
Lushaku Sadriu u ndal edhe te raporti i Dick Marty-t dhe zhvillimet që pasuan atë, duke thënë se kundërshtimi i raportit fillestar nuk i zhbën hetimet dhe procedurat gjyqësore të zhvilluara më pas.
“Edhe argumenti për kthimin e procesit te raporti i Dick Marty-t anashkalon zhvillimet juridike që kanë pasuar. Pas atij raporti u zhvilluan hetime të Task Forcës Speciale Hetimore, gjetjet e së cilës u paraqitën nga Clint Williamson në vitin 2014. Për pretendimet për trafikim organesh, ai deklaroi se nuk ishin siguruar prova të mjaftueshme për ngritjen e aktakuzës, ndërsa për pretendimet e tjera paraqiti gjetje që, sipas tij, justifikonin ndjekjen penale. Dhomat e Specializuara u themeluan në vitin 2015 pas këtij raporti. Prandaj, kundërshtimi i raportit fillestar nuk i zhbën vetvetiu hetimet dhe procedurat gjyqësore që pasuan”, tha deputetja Lushaku Sadriu.
Sipas saj, ndryshimi i një aktgjykimi mund të bëhet vetëm përmes rrugës gjyqësore dhe mjeteve juridike të përcaktuara me ligj.
“Për LDK-në, rruga e vetme për ta ndryshuar një aktgjykim është rruga gjyqësore përmes apelit dhe shterimit të mjeteve juridike të parapara me ligj. Çdo pretendim për gabime, padrejtësi apo shkelje në proces duhet të argumentohet dhe të shqyrtohet nga instancat kompetente. Institucionet e Kosovës duhet të sigurojnë, brenda përgjegjësive të tyre ligjore, mbështetjen e nevojshme për një mbrojtje profesionale dhe efektive”, tha ajo.
Lushaku Sadriu kërkoi gjithashtu koordinim me partnerët ndërkombëtarë, duke përmendur Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimin Evropian dhe partnerët e tjerë.
“Po ashtu, i domosdoshëm është koordinimi ndërkombëtar. Një çështje që lidhet me detyrimet ndërkombëtare të Kosovës dhe me marrëdhëniet me aleatët tanë kërkon konsultim të ngushtë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimin Evropian dhe partnerët e tjerë. Veprimet e njëanshme, pa këtë koordinim dhe pa vlerësim të qartë të pasojave juridike, rrezikojnë ta dobësojnë besueshmërinë e Kosovës dhe mbështetjen ndërkombëtare që i nevojitet vendit tonë”, tha Jehona Lushaku Sadriu.
Në fund, ajo tha se LDK-ja nuk do të bëhet pjesë e kësaj nisme, duke theksuar nevojën për drejtësi për viktimat dhe mbrojtjen e interesit shtetëror të Kosovës.
“Në të njëjtën kohë, populli i Kosovës, që ka përjetuar sakrifica dhe padrejtësi të rënda, duhet të mbetet i përkushtuar ndaj drejtësisë për viktimat. Për këto arsye, Lidhja Demokratike e Kosovës nuk mund të bëhet pjesë e kësaj nisme. LDK paralajmëron me kohë për rreziqet e mundshme juridike, politike e ndërkombëtare që ajo bart. U bëjmë thirrje propozuesve dhe deputetëve t’i marrin seriozisht këto rreziqe dhe të veprojnë në interes të drejtësisë së Republikës së Kosovës”, tha ajo.
“Lufta e Ushtrisë Çlirimtare është e shenjtë. Mbrojtja e karakterit të saj çlirimtar, përkushtimi ndaj drejtësisë për viktimat dhe ruajtja e interesit shtetëror të Kosovës janë përgjegjësi të cilave LDK do t’u qëndrojë besnike gjithmonë”, ka thënë Lushaku Sadriu.

