Sekretarja dhe deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Vlora Çitaku, u ka bërë thirrje deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje që të kthehen në Kuvend dhe të votojnë në lexim të dytë Ligjin për Dhomat e Specializuara.
Në një konferencë për media, Çitaku ka thënë se votimi i këtij ligji nuk është favor ndaj askujt, por obligim. Ajo tha se po presin që deputetët të vijnë në Kuvend.
“I bëjmë thirrje VV-së që të vijë në Kuvend dhe të miratojë ligjin në lexim të dytë. Ky nuk është favor, është obligim. Ne jemi këtu dhe nuk do të largohemi”, tha Çitaku.
Tahiri: Pas 16 shtatorit për ne është ligji
Deputeti i PDK-së, Arian Tahiri, ka deklaruar se pas vendimit të 16 shtatorit, çështja kryesore për të dhe partinë e tij është miratimi i Ligjit për Dhomat e Specializuara.
Në një konferencë për media, Tahiri ka thënë se populli është i bashkuar dhe se çështja e UÇK-së nuk duhet të përdoret për pazare politike apo për shkëmbim votash.
“Populli është i bashkuar dhe unifikuar. Për neve pas 16 shtatorit është ligji. Jo pazaret. Jo me na thanë votoma presidentin, ta votoj ligjin. UÇK është e të gjithëve. Na këtë frymë e kemi pas gjithë. Manovrat dhe lojërat na kanë sjellë në këtë gjendje”, tha ai.

