Raporti 24-orësh i Policisë së Kosovës përfshin disa raste të rënda kriminale dhe incidente të ndryshme në disa qytete të vendit.
Në Podujevë, më 4 tetor rreth orës 18:30, është raportuar se një grua është gjetur pa shenja jete. Njësitë përkatëse policore kanë dalë në vendin e ngjarjes, ndërsa me vendim të prokurorit trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML) për obduksion. Rasti po hetohet si “Hetim mbi vdekjen”.
Një rast tjetër i rëndë është regjistruar në Gjakovë më 5 tetor, ku një burrë është gjetur pa shenja jete. Ekipi mjekësor ka konstatuar vdekjen e tij, ndërsa me vendim të prokurorit trupi është dërguar në IML për obduksion.
Ndërkohë, në një rast të cilësuar si “Vrasje e rëndë”, Policia ka njoftuar se viktima femër, e cila ishte e përfshirë në rastin e raportuar më 6 shtator në Klinë, ka vdekur më 5 tetor në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK). Me vendim të prokurorit, trupi i pajetë është dërguar në IML për obduksion.
Në Vushtrri, më 5 tetor rreth orës 18:11, është raportuar një rast i “Vrasjes në tentativë”. Sipas Policisë, një i dyshuar ka shtënë me armë zjarri në drejtim të një personi tjetër. Nuk raportohet për të lënduar, ndërsa në vendin e ngjarjes janë gjetur dhe konfiskuar tri gëzhoja. Rasti mbetet nën hetime.
Në Pejë, persona të panjohur dyshohet se kanë hedhur koktej molotovi në dy lokacione të ndryshme, më 5 tetor rreth orës 04:00. Nuk është raportuar për persona të lënduar. Policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe, me vendim të prokurorit, rasti është iniciuar për “Shkaktim të rrezikut të përgjithshëm”.
Po në Pejë, më 1 tetor është arrestuar një burrë, i cili dyshohet se pas një mosmarrëveshjeje ka sulmuar fizikisht një burrë tjetër. Nuk raportohet për të lënduar. Pas intervistimit, me vendim të prokurorit, i dyshuari është liruar dhe rasti vazhdon në procedurë të rregullt.
Ndërkaq, në pikën kufitare në Bërnjak, më 5 tetor rreth orës 08:30, është ndaluar dhe arrestuar një person i cili rezultonte të ishte në kërkim policor.
Rastet e raportuara nga Policia janë duke u trajtuar dhe hetuar nga njësitet përkatëse, në koordinim me organet e drejtësisë.

