Thursday, October 29, 2026
HomeLajmeKosovëKusari-Lila: Arbitrazhi, i rëndësishëm për sigurinë juridike dhe investimet

Kusari-Lila: Arbitrazhi, i rëndësishëm për sigurinë juridike dhe investimet

Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Mimoza Kusari-Lila, ka thënë se arbitrazhi për Kosovën përbën një element të rëndësishëm të sigurisë juridike dhe të klimës së investimeve, ndërsa ka bërë të ditur se MINTI po punon për forcimin e kësaj sigurie përmes një kuadri ligjor dhe institucional më të qartë dhe funksional.

Kusari-Lila, e cila mori pjesë në Prishtinë në diskutimin për zhvillimet aktuale në arbitrazhin ndërkombëtar, me ftesë të Odës Ndërkombëtare të Tregtisë, tha se kur flitet për arbitrazhin, flitet për siguri juridike, besim dhe rregulla të qarta në marrëdhëniet ekonomike.

“Kur flasim për arbitrazhin, flasim për siguri juridike, besim dhe rregulla të qarta në marrëdhëniet ekonomike. Këtë e kam përjetuar edhe drejtpërdrejt, përmes një procesi ndërkombëtar arbitrazhi në të cilin Republika e Kosovës doli fituese”, tha Kusari-Lila.

Ajo bëri të ditur se diskutimi në Prishtinë u zhvillua në prani të profesionistëve të drejtësisë dhe përfaqësuesve të bizneseve.

Sipas Kusari-Lilës, Ligji për Arbitrazhin vendos rregullat bazë për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve përmes procedurave të arbitrazhit, si dhe për njohjen dhe ekzekutimin e vendimeve të arbitrazhit.

Ndërkaq, ajo tha se Ligji për Investime të Qëndrueshme përcakton të drejtat dhe detyrimet e institucioneve, autoriteteve publike dhe investitorëve lidhur me investimet në Republikën e Kosovës.

“Për ta bërë këtë kuadër edhe më funksional, po punojmë drejt zbatimit të Ligjit të ri për Shoqëritë Tregtare dhe reformës së Agjencisë së Regjistrimit të Bizneseve, në mënyrë që bizneset të kenë shërbime më efikase, më të qarta dhe më të parashikueshme”, tha ajo.

Kusari-Lila përmendi edhe Marrëveshjen Kosovë–EFTA, e cila, sipas saj, ka hyrë në fuqi më 1 tetor, duke hapur mundësi të reja për tregtinë e mallrave dhe shërbimeve me Zvicrën, Norvegjinë, Islandën dhe Lihtenshtajnin.

Ajo tha se në kuadër të CEFTA-s, ratifikimi i Protokolleve Shtesë 5, 6 dhe 7 forcon më tej lehtësimin e tregtisë, tregtinë në shërbime dhe mekanizmat për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve.

“Në fund, të gjitha këto përpjekje kanë një qëllim të përbashkët: të krijojmë një mjedis ku bizneset dhe investitorët kanë sigurinë dhe parashikueshmërinë e nevojshme për të hyrë, për t’u rritur dhe për të qëndruar në tregjet ndërkombëtare”, tha Kusari-Lila. 

RELATED ARTICLES

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Most Popular

Recent Comments

Instagram