Tuesday, October 6, 2026
HomeLajmeKosovëPolicia: Do të jemi në terren për të garantuar sigurinë gjatë protestës

Policia: Do të jemi në terren për të garantuar sigurinë gjatë protestës

Policia e Kosovës ka ndërmarrë masat e nevojshme të sigurisë për protestën e paralajmëruar për sot në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, lidhur me aktgjykimin e Gjykatës Speciale në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së dhe plotësim-ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara.

Policia ka bërë të ditur se do të angazhojë njësi policore para, gjatë dhe pas protestës, me qëllim të ruajtjes së rendit dhe qetësisë publike dhe garantimit të mbarëvajtjes së tubimit.

Sipas Policisë, e drejta e qytetarëve për të shprehur qëndrimet e tyre përmes tubimeve dhe protestave të qeta garantohet me Ligjin për Tubimet Publike.

“Policia e Kosovës, sipas Ligjit mbi tubimet publike, e njeh të drejtën e qytetarëve për shprehjen e lirë përmes tubimeve e protestave të qeta dhe sipas detyrës zyrtare angazhohet që mbarëvajtja e protestës të kalojë e qetë dhe që pjesëmarrësit në protestë të shprehin qëllimin e tyre në mënyrë demokratike dhe në suaza ligjore”, thuhet në njoftim.

Policia ka paralajmëruar se, varësisht nga nevojat operative dhe zhvillimet në terren, mund të ketë kufizime ose ndërprerje të përkohshme të qarkullimit në rrugët përreth vendit ku mbahet protesta. Për këtë arsye, janë planifikuar edhe njësi për riorientimin e trafikut në rrugë alternative.

Në njoftim, Policia i është referuar edhe zhvillimeve gjatë protestës së mbrëmshme, ku, sipas saj, disa protestues kanë hedhur vazhdimisht mjete piroteknike, fishekzjarrë dhe mjete të forta në drejtim të objekteve shtetërore dhe zyrtarëve policorë.

Policia thotë se, për të vënë situatën nën kontroll, për të mundësuar lirinë e lëvizjes dhe për të parandaluar përshkallëzimin e mëtejshëm, ka ndërhyrë ndaj personave që kanë shfaqur dhunë, duke përdorur sprej, gaz lotsjellës dhe topin e ujit për shpërndarjen e turmës.

Sipas raporteve zyrtare të Policisë, për mosrespektimin e thirrjeve të vazhdueshme për qetësi dhe shkelje të ligjit janë arrestuar tre persona. Dy prej tyre, me vendim të prokurorit, janë dërguar në mbajtje, ndërsa një është liruar në procedurë të rregullt.

Si pasojë e zhvillimeve dhe sulmeve me mjete të ndryshme, 20 zyrtarë policorë kanë pësuar lëndime të natyrave të ndryshme dhe kanë marrë trajtim mjekësor.

Ndihmë mjekësore kanë kërkuar edhe 12 qytetarë apo protestues, si dhe një gazetar, të cilët po ashtu kanë marrë trajtim mjekësor.

Policia ka bërë të ditur se, pas çdo operacioni, kryen vlerësime pasoperacionale të veprimeve policore në terren. Në rast se nga këto vlerësime evidentohen dyshime për tejkalim të autorizimeve policore, Policia thotë se ka njoftuar Inspektoratin Policor të Kosovës (IPK), si autoritet kompetent.

Policia u ka bërë thirrje protestuesve që protestën ta zhvillojnë në mënyrë të qetë dhe demokratike, të respektojnë ligjet dhe udhëzimet e zyrtarëve policorë dhe të kontribuojnë në ruajtjen e sigurisë së përgjithshme.

Në menaxhimin e situatës, sipas Policisë, kanë kontribuar edhe ekipet mjekësore, zjarrfikësit dhe institucionet e tjera emergjente.

Policia e Kosovës ka thënë se do të vazhdojë të jetë e pranishme në terren për të garantuar rendin kushtetues, sigurinë publike, sigurinë e qytetarëve, lirinë e lëvizjes dhe mbarëvajtjen e protestës.

RELATED ARTICLES

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Most Popular

Recent Comments

Instagram