Tuesday, October 6, 2026
HomeStilShpikje mjekësore bullgare ndihmon në kirurgjinë onkologjike

Shpikje mjekësore bullgare ndihmon në kirurgjinë onkologjike

Një ekip inxhinierësh nga Gorna Orjahovica shpiku detektorin e parë portativ gama-spektrometër në vend, i cili përdoret në onkologji, veçanërisht në trajtimin kirurgjikal të kancerit të gjirit. “Një në dhjetë gra bullgare diagnostikohet me këtë sëmundje të rëndë, e cila po prek gjithnjë e më shumë gra të reja”, komentoi kirurgu onkologjik i Spitalit “Aleksandrovska”, profesori Svilen Masljankov. Ai tashmë ka operuar katër gra me kacerë të gjirit duke përdorur prototipin e kësaj shpikjeje mjekësore. “Përdorimi i kësaj pajisjeje në kirurgjinë onkologjike ndihmon në ruajtjen e cilësisë së jetës së pacientëve dhe parandalon komplikacionet postoperative”, komentoi profesori Masljankov.

Për një vit e gjysmë, shpikësit nga Gorna Orjahovica, në bashkëpunim me një fizikan bërthamor dhe kirurgun onkologjik, profesor Svilen Masljankov, punuan për zhvillimin e gama-spektrometrit portativ. Ekzistojnë pajisje të ngjashme edhe në vende të tjera të botës, por shpikësit e tij thonë se pajisja bullgare është më e ndjeshme dhe më e saktë në diagnostikimin e kancerit. “Qëllimi i pajisjes është të zbulojë qelizat tumorale dhe, në varësi të vlerësimit të kirurgut, të kryhet heqja e indeve të buta. Pajisja jonë, falë sensorit që kemi krijuar, ka ndjeshmëri më të lartë se pajisja analoge me të cilën profesori Masljankov e krahason në kushte klinike” – shpjegoi shpikësi, inxhinieri Mihaill Çenkov.

Inxhinieri Mihaill Çenkov (majtas) dhe onkokirurgu, profesor doktor Svilen Masljankov

Inxhinieri Mihaill Çenkov (majtas) dhe onkokirurgu, profesor doktor Svilen Masljankov

FOTO: Zdravka Masljankova

Në gama-spektrometër është i integruar një sensor temperature, i cili ka rëndësi të madhe për kirurgët: “Ky sensor i temperaturës jep informacion dhe, çdo 100 milisekonda, pajisja rregullon automatikisht parametrat e saj. Edhe një ndryshim prej vetëm një grade në temperaturën e ambientit shkakton një gabim prej 3% në matje. Një tjetër risi është krahu i përkulshëm, i cili mund të lakohet rreth 30 gradë. Kjo i mundëson kirurgut të ketë qasje në zona më të vështira, ku mund të kryejë këtë diagnostikim.”

Pajisja përdoret për të ashtuquajturin shënjimin e nyjeve limfatike sentinel te kanceri i gjirit, por edhe te sëmundje të tjera onkologjike.

“Një ditë para operacionit, në zonën e gjirit ku dyshohet se ndodhet tumori, injektohet një radionuklid, molekulat e të cilit grumbullohen në të ashtuquajturën nyje limfatike sentinel. Nëse nuk ka përhapje të qelizave kancerogjene, hiqet vetëm kjo nyje limfatike dhe jo i gjithë grupi i nyjeve limfatike, siç bëhet aktualisht. Saktësia e ndërhyrjes eliminon komplikacionet e mëvonshme dhe përmirëson ndjeshëm cilësinë e jetës së pacientëve”, shpjegoi profesori Masljankov.

“Në Bullgaria ka probleme serioze me parandalimin e kancerit të gjirit”, komentoi profesori Svilen Masljankov: “Rreth 6-8% e rasteve të kancerit të gjirit janë të përcaktuara gjenetikisht. Nuk ka programe për identifikimin dhe parandalimin e tyre. Nuk ka një program të organizuar depistimi. Mamografia kryhet pas moshës 45 vjeç dhe është me dëshirë. Një program depistimi kërkon burime, por në këtë mënyrë pacientët do të zbuloheshin në një fazë shumë më të hershme.”

Kanceri i gjirit po prek gjithnjë e më shumë gra të reja. Profesori Masljankov tregoi se vitin e kaluar diagnostikoi me këtë sëmundje një grua 23-vjeçare, ndërsa disa muaj më parë operoi një 28-vjeçare me karcinomë të gjëndrës së qumështit.

Shpikja e inxhinierëve nga Gorna Orjahovica, gama-spektrometri portativ që mund të ndihmojë në kirurgjinë onkologjike të kancerit të gjirit, melanomave dhe sëmundjeve të ndryshme onkologjike, pritet të certifikohet. Procesi do të zgjasë të paktën një vit, përpara se pajisja të hidhet në treg. Për zhvillimin e saj u përdor një grant nga Programi Operativ “Konkurrueshmëria”.

RELATED ARTICLES

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Most Popular

Recent Comments

Instagram