Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Mimoza Kusari ka zhvilluar një takim njoftues me ambasadorin e Bashkimit Evropian në Kosovë, Dirk Schuebel, ku është diskutuar për Planin e Rritjes së BE-së dhe mundësitë që ai ofron për zhvillimin ekonomik të Kosovës.
Sipas Kusarit, në takim është diskutuar për forcimin e konkurrueshmërisë dhe integrimin e mëtejshëm të Kosovës në tregun evropian, si dhe për marrëveshjet SAA, EFTA dhe CEFTA.
Temë e diskutimit ishte edhe lehtësimi i tregtisë dhe lëvizjes së fuqisë punëtore, përfshirë çështjet që lidhen me lejet e punës dhe vizat, si dhe mbështetja për inovacionin, ndërmarrësinë, zhvillimin e parqeve industriale dhe kapaciteteve prodhuese.
Kusari tha se është diskutuar edhe për projektet IPA dhe nevojën për forcimin e kapaciteteve institucionale për zbatimin e reformave që synojnë përshpejtimin e integrimit të Kosovës në tregun e përbashkët evropian.
Ajo ka bërë të ditur se ambasadori Schuebel ka vlerësuar drejtimin në të cilin po ecën Kosova.
“Po ecni në drejtimin e duhur. Dhe drejtimi i duhur është Evropa”, citohet të ketë thënë Schuebel.
Kusari ka theksuar se synimi është që reformat ekonomike, tregtia, prodhimi dhe ndërmarrësia të krijojnë më shumë mundësi për bizneset dhe qytetarët dhe ta afrojnë Kosovën më tej me Evropën.

