Derisa dy blloqet e mëdha politike, ai i udhëhequr nga Aleksandar Vuçiq dhe Lista Studentore, deklarojnë se nuk do të vendosin sanksione ndaj Rusisë, një koalicion i partive më të vogla opozitare proevropiane përfaqëson një qëndrim tjetër. Përfaqësuesi i këtij koalicioni, Dragan Gjillas, paralajmëron vendosjen e sanksioneve ndaj Moskës dhe harmonizimin e plotë të politikës së jashtme të Serbisë me Bashkimin Evropian.
Me afrimin e zgjedhjeve parlamentare të 25 tetorit në Serbi, po qartësohen gradualisht edhe qëndrimet e subjekteve politike ndaj Rusisë dhe integrimeve evropiane. Megjithëse janë kundërshtarë politikë, blloku i Aleksandar Vuçiqit dhe Lista Studentore ndajnë të njëjtin qëndrim për një nga çështjet e rëndësishme të politikës së jashtme, kundërshtojnë vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë. Për këtë çështje RTK ka raportuar edhe më parë.
Ndërkohë, është deklaruar edhe koalicioni “Serbia Evropiane”, i përbërë nga Partia e Lirisë dhe Drejtësisë, partia Serbia Qendër dhe Solidariteti. Ky koalicion i partive më të vogla opozitare proevropiane vlerëson se Serbia duhet t’i japë fund politikës së deritanishme të balancimit ndërmjet Brukselit dhe Moskës.
Dragan Gjillas, bartës i listës “Serbia Evropiane”, ka deklaruar se koalicioni i tij, nëse vjen në pushtet, do të vendosë menjëherë sanksione ndaj Rusisë dhe do ta harmonizojë plotësisht politikën e jashtme me Bashkimin Evropian. Sipas tij, Serbia nuk ka më hapësirë për kalkulime politike dhe për politikën e “uljes në dy karrige”, e cila, siç vlerëson ai, prej vitesh po e largon vendin nga integrimet evropiane.
“Nga njëra anë kemi Aleksandar Vuçiqin, i cili, për hir të pushtetit të tij dhe mbështetjes së Vladimir Putinit, është i gatshëm ta izolojë një komb të tërë. Edhe të tjerët përsërisin se nuk do të vendosin sanksione ndaj regjimit në Kremlin dhe se Putini nuk u pengon, ndonëse janë të vetëdijshëm se kjo nënkupton vazhdimin e bllokadës së plotë të integrimeve evropiane. Kjo do të thotë të jetosh në të kaluarën, pushtet autoritar, izolim ndërkombëtar dhe pasiguri ekonomike.”
Gjillas ka theksuar se rruga evropiane është prioritet për koalicionin e tij dhe se votuesit duhet ta dinë qartë se çfarë politike përfaqëson ai.
“Për listën ‘Serbia Evropiane’, prioritet i pakompromis është rruga evropiane dhe jo interesat e regjimit në Kremlin. Prandaj e themi hapur dhe qartë, me ne të gjithë e dinë se ku qëndrojmë: Serbia Evropiane do të vendosë menjëherë sanksione ndaj Rusisë dhe do ta harmonizojë plotësisht politikën e jashtme me Bashkimin Evropian.”
Ndryshe nga ky koalicion, Lista Studentore në fund të shtatorit bëri të ditur se nuk do ta ndryshonte politikën e deritanishme të Serbisë ndaj Moskës. Në programin e saj thuhet se vendimet në politikën e jashtme do të merren në përputhje me interesat shtetërore dhe kombëtare, duke kundërshtuar sanksionet, të cilat, sipas studentëve, nuk kontribuojnë në zgjidhjen e problemeve politike dhe të sigurisë.
“Republika e Serbisë do të ruajë qëndrimin parimor për mosvendosjen e masave kufizuese ndaj Federatës Ruse,” ka publikuar Lista Studentore.
Studentët e arsyetojnë këtë qëndrim edhe me përvojën e Serbisë nga sanksionet ndërkombëtare gjatë viteve ’90, si dhe me pasojat që ato patën për popullsinë.
Qëndrimet e ndryshme ndaj Rusisë hapin edhe çështjen më të gjerë të orientimit të ardhshëm të politikës së jashtme të Serbisë. Kjo merr rëndësi shtesë pas mesazheve të fundit nga Brukseli, ku nga Serbia pritet përparim më konkret në integrimet evropiane, përfshirë harmonizimin me politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë të Bashkimit Evropian.
Komisionerja evropiane për Zgjerim, Marta Kos, ka deklaruar së fundmi se procesi i zgjerimit të Bashkimit Evropian po merr sërish hov politik, por jo të gjitha vendet kandidate do të përparojnë me të njëjtin ritëm. Ajo ka veçuar Malin e Zi, Shqipërinë, Moldavinë dhe Ukrainën si katër vendet më të avancuara, ndërsa për Serbinë ka theksuar se duhet të bëjë më shumë.
“Serbia do të duhet të japë rezultate më konkrete. Seriozitetin e qeverisë së tyre do ta shohim pas zgjedhjeve, nëse nuk do të mjaftohen vetëm duke thënë se duan të bëhen anëtarë të Bashkimit Evropian, por do të punojnë konkretisht për këtë, veçanërisht sa i përket harmonizimit strategjik dhe përafrimit me politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë.”
Kështu, marrëdhëniet me Rusinë dhe Bashkimin Evropian po bëhen gjithnjë e më qartë një nga temat e politikës së jashtme në prag të zgjedhjeve. Derisa pushteti dhe Lista Studentore, pavarësisht rivalitetit politik mes tyre, mbështesin vazhdimin e politikës së mosvendosjes së sanksioneve ndaj Moskës, një pjesë e opozitës proevropiane këmbëngul në ndryshimin e këtij kursi.
Për Bashkimin Evropian, por edhe për vendet e rajonit, mbetet e hapur pyetja nëse zgjedhjet në Serbi do të sjellin ndryshime vetëm në politikën e brendshme apo edhe në marrëdhëniet e saj me Brukselin, Moskën dhe vendet fqinje.

