Ministri i Mbrojtjes i Italisë, Guido Crosetto, ka deklaruar se vendosja e radarëve në Ballkan do të mundësonte mbrojtjen e vendeve të rajonit dhe të Italisë nga kërcënimet e ardhshme. Ai theksoi se angazhimi italian në Kosovë do të vazhdojë edhe në rast të zvogëlimit të pranisë së KFOR-it.
Sipas agjencisë italiane të lajmeve ANSA, Crosetto i bëri këto deklarata në Prishtinë, në margjinat e ceremonisë së ndërrimit të komandës së misionit të KFOR-it, ku gjeneralmajori Roberto Vergori mori drejtimin e misionit.
“Po rimarrim komandën me gjeneralin Vergori dhe këtë po e bëjmë me një angazhim që do të vazhdojë edhe kur KFOR-i ta zvogëlojë praninë e tij në Kosovë, sepse për ne Ballkani përfaqëson një pikë referimi për sigurinë tonë”, deklaroi Crosetto.
Ai theksoi rëndësinë e garantimit të sigurisë në Ballkan dhe mundësinë e vendosjes së radarëve në rajon për parandalimin e kërcënimeve.
“Garantimi i sigurisë në Ballkan dhe shfrytëzimi i mundësive që ofron ky rajon edhe në të ardhmen, duke menduar për vendosjen e radarëve këtu, të cilët do të na mundësonin të mbronim si këto vende, ashtu edhe vendin tonë, për të parandaluar kërcënimet, është diçka thelbësore”, tha ministri italian.
Crosetto foli edhe për kërcënimet e ardhshme të sigurisë, duke përmendur raketat që kanë goditur aeroportet në Arabinë Saudite.
“Nëse marrim parasysh se raketat që goditën aeroportet në Arabinë Saudite ishin ndërtuar nga Huthit, pra jo nga inxhinierë të sofistikuar, dhe arritën shpejtësinë prej 8.500 kilometrash në orë, kuptojmë se me çfarë kërcënimesh do të përballen të gjitha vendet në të ardhmen dhe sa e rëndësishme është të sigurohet mbrojtja edhe e vendeve kufitare dhe vendeve mike”, shtoi Crosetto.
Ai theksoi se bashkëpunimi me vendet mike është i rëndësishëm për krijimin e një mbulimi mbrojtës që do të mundësonte parandalimin e kërcënimeve në të ardhmen.

