Policia e Kosovës ka realizuar ekstradimin e dy shtetasve kosovarë, të cilët kërkoheshin me letër-rreshtim ndërkombëtar për vepra të ndryshme penale.
Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës, ekstradimet janë realizuar më 13 dhe 14 tetor 2026, në bashkëpunim me autoritetet përkatëse të Gjermanisë dhe Zvicrës, si dhe institucionet e drejtësisë në Kosovë.
Më 13 tetor, nga Gjermania është ekstraduar një shtetase kosovare, e kërkuar për veprën penale të blerjes, posedimit, shpërndarjes dhe shitjes së paautorizuar të narkotikëve dhe substancave psikotrope. Pas ekstradimit, ajo iu dorëzua njësive përkatëse të Policisë në rajonin e Pejës.
Ndërkaq, më 14 tetor, nga Zvicra është ekstraduar një shtetas kosovar, i kërkuar për veprën penale të grabitjes. Ai iu dorëzua njësive policore në rajonin e Gjilanit për vazhdimin e procedurave ligjore.
Policia bëri të ditur se të dy personat ishin arrestuar nga autoritetet e shteteve përkatëse, pasi kërkoheshin përmes INTERPOL-it, me kërkesë të institucioneve të drejtësisë së Kosovës.
Ekstradimet u realizuan në bazë të legjislacionit në fuqi dhe bashkëpunimit ndërmjet institucioneve të Kosovës dhe autoriteteve të dy shteteve.

