Kombëtarja e Kosovës në hendboll në konkurrencën e femrave është mundur nga Estonia me rezultat 25:27, në ndeshjen e dytë parakualifikuese për Kampionatin Botëror 2027, e zhvilluar në Pallatin e Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë.
Pas fitores bindëse prej 39:22 në përballjen e parë, hendbollistet e Kosovës nuk arritën ta përsërisnin paraqitjen e një dite më parë, duke u mposhtur kësaj radhe nga përfaqësuesja estoneze.
Pjesa e parë e takimit ishte e baraspeshuar dhe përfundoi me rezultat 14:14, me të dyja skuadrat që luftuan për epërsi.
Megjithatë, në pjesën e dytë, Estonia u tregua më efikase, duke arritur të krijonte epërsi në rezultat dhe ta menaxhonte atë deri në fund të ndeshjes.
Përkundër përpjekjeve të Kosovës për ta rikthyer rezultatin, mysafiret arritën ta ruanin avantazhin dhe në fund triumfuan me dy gola diferencë, 27:25.
Kështu, Kosova dhe Estonia e mbyllin me nga një fitore secila këtë seri prej dy ndeshjesh parakualifikuese për Botërorin 2027.

