Monday, October 26, 2026
HomeLajmeKoalicioni Shqiptar siguron dy mandate në Serbi, në garë për të tretin

Koalicioni Shqiptar siguron dy mandate në Serbi, në garë për të tretin

Koalicioni Shqiptar ka siguruar dy mandate në Kuvendin e Serbisë dhe është në garë për mandatin e tretë, sipas rezultateve preliminare të zgjedhjeve parlamentare të mbajtura të dielën.

Prijësi i listës së Koalicionit Shqiptar, Shaip Kamberi, dhe kryetarja e Komunës së Preshevës, Ardita Sinani, e kanë cilësuar këtë rezultat si arritje historike.

Përmes një postimi në Facebook, Kamberi ka bërë të ditur se Koalicioni Shqiptar ka marrë 27.230 vota, të cilat, me rritjen prej 35 për qind të koeficientëve zgjedhorë për pakicat kombëtare, japin vlerën llogaritëse prej 36.761 votash.

“Ky është rezultati i bashkimit politik, i besimit qytetar dhe i përkushtimit të përbashkët për përfaqësim dinjitoz”, ka shkruar Kamberi.

Ai ka falënderuar qytetarët e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës për besimin, subjektet politike për bashkimin dhe kryeministrin Albin Kurti për angazhimin e tij.

“Bashkë në zgjedhje, bashkë në përfaqësim, bashkë për të drejtat tona”, ka shkruar Kamberi.

Edhe kryetarja e Preshevës, Ardita Sinani, ka reaguar përmes Facebook-ut, duke e cilësuar rezultatin si arritje historike për shqiptarët.

“Bashkimi ynë politik po jep rezultate historike!”, ka shkruar Sinani.

Ajo ka falënderuar qytetarët e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës që kanë votuar, si dhe të gjithë ata që kanë kontribuar në bashkimin politik.

“Mirënjohje të veçantë Kryeministrit Albin Kurti për mbështetjen dhe angazhimin në bashkimin e faktorit politik shqiptar”, ka shkruar Sinani.

“Të bashkuar, më të fortë në përfaqësim!”, ka përfunduar ajo. 

RELATED ARTICLES

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Most Popular

Recent Comments

Instagram