Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, ka kërkuar llogaridhënie institucionale për vrasjen e Arlinda Zekajt në Vitomiricë të Pejës, duke theksuar se viktima kishte paralajmëruar institucionet për rrezikun ndaj jetës së saj vetëm pak ditë para se të vritej.
Në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës, të thirrur për të diskutuar për këtë rast të rëndë, Nagavci tha se institucionet përgjegjëse duhet të japin përgjigje konkrete lidhur me veprimet e ndërmarra pas kërkesës së viktimës për mbrojtje.
Ajo bëri të ditur se më 22 tetor, Arlinda Zekaj i ishte drejtuar me një letër urgjente prokurorisë në Pejë, duke kërkuar veprime të menjëhershme, ekzekutimin e një urdhri gjyqësor dhe hetimin e zyrtarëve që, sipas saj, kishin dështuar në përmbushjen e detyrave të tyre.
Nagavci rikujtoi edhe paralajmërimin e viktimës në fund të letrës, ku ajo kishte shkruar: “Uroj që të mos vijë dita kur ju dhe institucionet përgjegjëse të detyroheni të jepni llogari vetëm pasi të jetë marrë jeta ime”.
Sipas Nagavcit, kjo deklaratë e bën edhe më të rëndë përgjegjësinë për të sqaruar se çfarë ndodhi me kërkesën e saj dhe nëse rreziku ishte vlerësuar me seriozitetin e duhur.
“Çfarë ndodhi me letrën e saj? Kush e shqyrtoi? Çfarë veprimesh ndërmori prokuroria? A u vlerësua seriozisht rreziku që ajo kishte paralajmëruar? A u ekzekutua urdhri gjyqësor që ajo përmendte?”, ishin disa nga pyetjet që Nagavci ngriti në Kuvend.
Ajo theksoi se prokuroria nuk duhet të veprojë vetëm pasi të ndodhë krimi, por duhet të ndërhyjë me urgjencë kur ekzistojnë paralajmërime konkrete për rrezik ndaj jetës.
Nagavci nënvizoi gjithashtu se vendimet gjyqësore duhet të zbatohen dhe se institucionet përgjegjëse duhet të sigurojnë që masat mbrojtëse për viktimat të jenë efektive.
“Çfarë kuptimi ka një urdhër gjyqësor nëse ai nuk zbatohet?”, pyeti ajo, duke shtuar se pavarësia e sistemit të drejtësisë nuk nënkupton mungesë përgjegjësie.
Duke folur për mekanizmat ligjorë për mbrojtjen e grave nga dhuna, Nagavci tha se Kosova ka ndërmarrë hapa të rëndësishëm, përfshirë përfshirjen e Konventës së Stambollit në Kushtetutë dhe avancimin e mekanizmave ligjorë.
Megjithatë, ajo theksoi se miratimi i ligjeve nuk mjafton nëse ato nuk zbatohen në praktikë dhe nuk garantojnë siguri konkrete për qytetarët.
Sipas saj, dhuna ndaj grave nuk duhet të trajtohet si çështje private, por si shkelje e të drejtave të njeriut, çështje e sigurisë publike dhe përgjegjësi e drejtpërdrejtë e shtetit.
Nagavci kërkoi që në rastin e Arlinda Zekajt të shqyrtohet i gjithë zinxhiri institucional, nga momenti kur ajo kishte kërkuar mbrojtje deri te veprimet e ndërmarra ose të pandërmarra para vrasjes së saj.
Ajo tha se duhet të sqarohet nëse ka pasur neglizhencë, vonesa të pajustifikueshme, moszbatim të vendimeve gjyqësore apo mungesë koordinimi ndërmjet institucioneve, duke kërkuar që përgjegjësitë të përcaktohen në përputhje me ligjin.
Në këtë drejtim, Nagavci bëri të ditur se Grupi Parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje ka kërkuar mbajtjen e seancës së jashtëzakonshme dhe ka iniciuar themelimin e një komisioni hetimor parlamentar për të shqyrtuar përgjegjësinë institucionale në këtë rast.
Ajo sqaroi se komisioni nuk synon të zëvendësojë hetimin penal apo kompetencat e organeve të drejtësisë, por të identifikojë dështimet eventuale përmes mbikëqyrjes parlamentare dhe të propozojë masa konkrete për parandalimin e rasteve të ngjashme.
Në përfundim të fjalës së saj, Nagavci u bëri thirrje deputetëve që ta miratojnë rezolutën në fund të seancës dhe të mbështesin themelimin e komisionit hetimor parlamentar.
“Drejtësia që vjen vetëm pas tragjedisë nuk mjafton. Na duhet një drejtësi që vepron në kohë, që mbron jetën dhe që nuk i lë paralajmërimet pa përgjigje”, përfundoi Nagavci.

