Kryeprokurori i Shtetit, Zejnulla Gashi, ka ndërmarrë veprime institucionale për të zbardhur dhe analizuar të gjithë historikun e trajtimit të rasteve të raportuara nga e ndjera Arlinda Zekaj, e cila u privua nga jeta dje në Pejë.
Sipas komunikatës së Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, koordinatori nacional për rastet e dhunës në familje është autorizuar të analizojë të gjitha veprimet e ndërmarra në trajtimin e rasteve në të cilat viktimë ishte e ndjera Zekaj.
Në kuadër të këtyre veprimeve, nga kryeprokurorja e Prokurorisë Themelore në Pejë, Lumturije Vuçetaj, është kërkuar një raport i detajuar me shkrim për mënyrën se si janë trajtuar rastet e saj.
Raporti duhet të përfshijë kronologjinë e rasteve, identitetin e personave të raportuar, cilësimin juridik, prokurorët përgjegjës, veprimet procedurale dhe vendimet e nxjerra, si dhe arsyetimet përkatëse.
Po ashtu, kërkohet të shqyrtohen vlerësimi i rrezikut dhe masat e kërkuara ose të ndërmarra për mbrojtjen e viktimës, komunikimi me Policinë e Kosovës dhe institucionet e tjera, si dhe trajtimi i shkresës së viktimës të datës 22 tetor 2026.
“Kryeprokurori i Shtetit ka autorizuar koordinatorin nacional për rastet e dhunës në familje që të analizojë të gjitha veprimet e ndërmarra në trajtimin e rasteve, në të cilat viktimë ka qenë e ndjera Arlinda Zekaj”, thuhet në komunikatë.
Përveç veprimeve brenda sistemit prokurorial, Inspektoratit Policor të Kosovës i është kërkuar të ndërmarrë veprimet përkatëse hetimore dhe verifikuese lidhur me të gjitha rastet që Zekaj i kishte raportuar në Polici.
Sipas komunikatës, shqyrtimi do të përfshijë mënyrën e pranimit, evidentimit, vlerësimit dhe trajtimit të raportimeve, si dhe veprimet e ndërmarra nga zyrtarët policorë.
Qëllimi është vlerësimi i ligjshmërisë së veprimeve të institucioneve dhe identifikimi i përgjegjësive të mundshme individuale dhe institucionale.
Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit ka bërë të ditur se çështja do të trajtohet me seriozitet dhe urgjencë, ndërsa pas pranimit dhe analizimit të dokumentacionit do të ndërmerren veprimet e nevojshme ligjore dhe institucionale.
“Në rast se konstatohen shkelje të ligjit, neglizhencë apo mosveprime nga ana e zyrtarëve përgjegjës, do të ndërmerren masat përkatëse ligjore dhe do të kërkohet përgjegjësi për secilën shkelje të evidentuar, pa asnjë tolerim ndaj përgjegjësisë institucionale apo individuale”, theksohet në komunikatë.
Në fund, Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit ka ritheksuar se çdo pretendim për mosveprim ose trajtim të papërshtatshëm institucional duhet të shqyrtohet në mënyrë të plotë, objektive dhe profesionale, me qëllim të sqarimit të rrethanave dhe përcaktimit të përgjegjësive eventuale.

