Gjykata Supreme e Kosovës e ka hedhur si të palejuar ankesën e kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj, kundër vendimit të Këshillit Prokurorial të Kosovës për largimin e tij nga kjo pozitë.
Sipas aktvendimit të datës 27 tetor 2026, Gjykata Supreme ka vlerësuar se vendimi i KPK-së për largimin e Isufajt nga pozita e kryeprokurorit nuk është vendim disiplinor, por akt individual me karakter administrativ.
Për këtë arsye, Gjykata ka konstatuar se ankesa nuk mund të shqyrtohet nga Gjykata Supreme në bazë të nenit 15 të Ligjit për Përgjegjësinë Disiplinore të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve.
Në arsyetimin e saj, Gjykata Supreme ka theksuar se ligjshmëria e vendimit të KPK-së mund t’i nënshtrohet kontrollit gjyqësor përmes procedurës së konfliktit administrativ, para gjykatës kompetente.
KPK-ja, më 2 tetor 2026, kishte vendosur ta largonte Isufajn nga pozita e kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale, duke përmendur keqmenaxhimin, jokompetencën, dështimin në kryerjen e detyrave dhe mospërmbushjen e standardeve të performancës.
Pas këtij vendimi, Isufaj kishte paraqitur ankesë në Gjykatën Supreme, duke kundërshtuar procedurën e ndjekur nga KPK-ja, zbatimin e ligjit dhe vlerësimin e performancës, si dhe duke kërkuar anulimin ose ndryshimin e vendimit për largimin e tij.
KPK-ja, në përgjigjen e saj, kishte kundërshtuar kompetencën e Gjykatës Supreme për ta shqyrtuar ankesën, me arsyetimin se vendimi për largim nga pozita udhëheqëse nuk ishte vendim disiplinor.
Gjykata Supreme ka vlerësuar se largimi nga pozita e kryeprokurorit, i bazuar në nenin 22, paragrafin 5, të Ligjit për Këshillin Prokurorial të Kosovës, dallon nga përgjegjësia disiplinore e prokurorëve.

