Monday, November 2, 2026
HomeLajmeKosovëBashkëluftëtarët kujtojnë karakterin dhe vizionin e komandantit Zahir Pajaziti

Bashkëluftëtarët kujtojnë karakterin dhe vizionin e komandantit Zahir Pajaziti

Disa personalitete mbeten të paharruara në historinë e një populli për guximin, veprën dhe sakrificën e tyre. I tillë ishte edhe Zahir Pajaziti, njëri ndër figurat themeluese të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, i lindur më 1 nëntor 1962 në Turuçicë të Podujevës. Një pjesë të rëndësishme të jetës e kaloi në Orllan, ku sot ndodhet kompleksi memorial që mban emrin e tij.

Në 64-vjetorin e lindjes, aty u mbajtën homazhe dhe ceremoni përkujtimore, ku qytetarë të shumtë, bashkëluftëtarë, familjarë dhe përfaqësues të institucioneve qendrore e lokale nderuan jetën, veprën dhe sakrificën e tij.

“Zahir Pajaziti ishte një nga ata burra që nuk pritën që historia të shkruhej, por u bënë pjesë e saj. Me guximin, vendosmërinë dhe përkushtimin e tij ndaj atdheut, ai u vu në ballë të përpjekjeve për çlirimin e Kosovës, duke u shndërruar në njërën prej figurave më emblematike të luftës sonë për liri”, ka thënë Shpejtim Bulliqi, kryetar i Komunës së Podujevës.

“Ka emra që një popull i shqipton me krenari dhe me përgjegjësi, emra që na kujtojnë sa shtrenjtë është paguar liria dhe sa shumë duhet të bëjmë për ta merituar atë çdo ditë. Një emër i tillë është Zahir Pajaziti. Sot, përulemi para jetës, veprës dhe sakrificës së tij. Nderojmë një njeri që, në kohën e shtypjes dhe të pasigurisë, mori mbi vete përgjegjësinë për t’i dalë zot këtij vendi”, ka thënë Përparim Rama, kryetar i Komunës së Prishtinës.

“Sot, në ditëlindjen e komandantit Zahir Pajaziti, jemi mbledhur për të nderuar një jetë që u bë pjesë e historisë sonë kombëtare, një vizion që kapërceu kohën dhe një vepër që vazhdon ende të na frymëzojë. Kjo ditë nuk është vetëm ditë kujtimi. Është ditë krenarie, reflektimi dhe mirënjohjeje për njeriun që besoi në lirinë tonë, atëherë kur shumëkush e konsideronte pothuajse të pamundur”, ka thënë Rrustem Mustafa, komandant i Zonës Operative të Llapit të UÇK-së 19

Përtej figurës së komandantit, bashkëluftëtarët kujtojnë edhe karakterin e tij njerëzor. Në këtë ceremoni u nderua me mirënjohje edhe Xhemë Jakupi, i njohur si “Plaku i Shishmanit”, i cili ndau kujtimet për bashkëluftëtarin e tij dhe veçantinë që e karakterizonte.

“Për Zahir Pajazitin me fol shumë kohë është pak, nuk mundemi të gjitha me ia përmendë. Zahiri ka qenë një njeri i veçantë. Pse i veçantë? Sepse, me njerëzit që ka ndejtë Zahiri për një apo dy orë, e ka kuptuar çfarë vlere kanë, a i vyen atij apo nuk i vyen, a ka mundësi që t’i ndihmojë diçka. Pra, Zahiri është i veçantë për këtë trevën tonë, atje të Rekës së Keqe”, ka thënë Xhemë Jakupi, Plaku i Shishmanit.

Në emër të familjes, vëllai i heroit, Bajram Pajaziti, shprehu krenarinë për figurën e tij dhe brezin që kontribuoi në çlirimin e Kosovës. Ai foli edhe për proceset gjyqësore ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Hagë.

“Është një krenari e madhe të flasësh për bijat dhe bijtë që u bënë simbol i lirisë dhe pavarësisë së Kosovës, si dhe gurthemel i UÇK-së. Kjo festë është e mangët, sepse sot mbahen peng, po gjykohen e po dënohen bijtë më të mirë të Kosovës në Hagë. Po persekutohen njerëz që kanë qenë ushtarë, komandantë e udhëheqës të Ushtrisë më të lavdishme të historisë sonë, të UÇK-së”, ka thënë Bajram Pajaziti, vëllai i Zahir Pajazitit.

Këngët dhe vallet kushtuar heroit përmbyllën ceremoninë përkujtimore në Orllan. Zahir Pajaziti u vra më 31 janar të vitit 1997, në fshatin Pestovë të Vushtrrisë, pasi ra në pritë të forcave serbe. Në të njëjtën ngjarje u vranë edhe dy bashkëluftëtarët e tij, Hakif Zejnullahu dhe Edmond Hoxha. Ishte vetëm 34 vjeç, por emri dhe sakrifica e tij mbeten pjesë e historisë së luftës për lirinë e Kosovës.

RELATED ARTICLES

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Most Popular

Recent Comments

Instagram