Wednesday, November 25, 2026
HomeLajmeKosovëLansohet Platforma e Identitetit Elektronik, Kurti: Hap drejt digjitalizimit

Lansohet Platforma e Identitetit Elektronik, Kurti: Hap drejt digjitalizimit

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se lansimi i Platformës Nacionale të Identitetit Elektronik, Kuletës Digjitale dhe aplikacionit për nënshkrimin elektronik përbën një hap të rëndësishëm në transformimin digjital të vendit.

Në ceremoninë e lansimit të këtyre platformave, Kurti ka thënë se digjitalizimi mundëson që shërbimet institucionale të jenë më afër qytetarëve, duke ua kursyer kohën dhe nevojën për vizita fizike në institucione.

Ai ka theksuar se identifikimi elektronik u mundëson qytetarëve të dëshmojnë identitetin në mënyrë të sigurt në mjedisin digjital, Kuleta Digjitale mundëson përdorimin e identitetit dhe kredencialeve, ndërsa nënshkrimi elektronik lehtëson firmosjen e dokumenteve pa pasur nevojë për letër dhe prani fizike.

Kurti ka bërë me dije se përmes platformës e-Kosova aktualisht ofrohen mbi 330 shërbime digjitale për qytetarët dhe bizneset.

Sipas tij, me identitetin dhe nënshkrimin elektronik, synohet që gjithnjë e më shumë shërbime të përfundohen tërësisht në mënyrë digjitale, duke përfshirë edhe mundësitë për bashkatdhetarët që të kryejnë shërbime nga vendet ku jetojnë dhe punojnë.

Kreu i Qeverisë ka falënderuar Bashkimin Evropian për mbështetjen e projektit përmes fondeve IPA, si dhe institucionet dhe profesionistët e përfshirë në realizimin e tij.

Ai ka theksuar se zhvillimi i shërbimeve digjitale duhet të shoqërohet me përgjegjësi për sigurinë, mbrojtjen e të dhënave personale dhe besueshmërinë e sistemeve.

Kurti ka thënë se synimi është ndërtimi i një administrate që funksionon sipas nevojave të qytetarëve, me shërbime të shpejta, të thjeshta dhe të qasshme kudo e kurdo.

Ndërkaq, ambasadori i BE-së në Kosovë, Dirk Schuebel tha se ky projekt është mbështetur financiarisht nga BE-ja me 3.2 milionë euro, duke e cilësuar atë si një hap të rëndësishëm drejt modernizimit dhe integrimit evropian të Kosovës.

Ai bëri me dije se Bashkimi Evropian, që nga viti 1999, ka ofruar mbi 3.7 miliardë euro mbështetje për Kosovën, duke ndihmuar në modernizimin e institucioneve dhe zbatimin e reformave.

“Identiteti digjital do t’u mundësojë qytetarëve të nënshkruajnë dokumente me fuqi të njëjtë juridike si nënshkrimi me dorë, si dhe të kyçen në mënyrë të sigurt në platformën e-Kosova. Shërbimet do të jenë pa pagesë”, tha ai.

Ai vlerësoi se kjo platformë do të lehtësojë edhe punën e bizneseve, duke reduktuar dokumentacionin fizik dhe duke rritur efikasitetin në kryerjen e shërbimeve.

Ndërkaq, ministri i Digjitalizimit dhe Administratës Publike, Lulëzon Jagxhiu, njoftoi se nga e hëna e javës së ardhshme qytetarët do të mund të pajisen me identitet elektronik në zyrat e regjistrimit civil, fillimisht në shtatë qendrat rajonale, e më pas edhe në komunat e tjera.

Ai shpjegoi se identiteti elektronik do të ruhet në Kuletën Digjitale të Kosovës, e cila do të jetë në dispozicion për telefonat me sistemet Android dhe iOS.

Përmes aplikacionit iSIGN, qytetarët do të mund të nënshkruajnë dokumente elektronikisht si nga telefoni, ashtu edhe nga kompjuteri.

Jagxhiu tha se identiteti elektronik dhe kuleta digjitale tashmë janë integruar në platformën e-Kosova, duke mundësuar kyçjen pa fjalëkalim dhe nënshkrimin elektronik të dokumenteve.

Si një nga zbatimet e para konkrete të sistemit, ai përmendi integrimin e nënshkrimit elektronik në procesin e regjistrimit të bizneseve.

“Në fazat e ardhshme do të punohet për lëshimin e vulave elektronike për biznese dhe organizata, si dhe zgjerimin e integrimit me shërbimet publike dhe private”, theksoi Jagxhiu.

Sipas tij, synim mbetet edhe harmonizimi me kornizën evropiane të identitetit digjital eIDAS 2, në mënyrë që në të ardhmen këto shërbime të mund të përdoren edhe përtej kufijve të Kosovës.

RELATED ARTICLES

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Most Popular

Recent Comments

Instagram