Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka vlerësuar se Raporti i Komisionit Evropian për Kosovën për vitin 2026 konfirmon gjendjen shqetësuese në sundimin e ligjit, funksionimin e institucioneve demokratike dhe zbatimin e reformave.
Sipas IKD-së, veçanërisht shqetësues është vlerësimi se Kosova nuk ka shënuar progres në funksionimin e gjyqësorit, duke shënuar përkeqësim krahasuar me tri vitet paraprake. Ndërkohë, në luftën kundër korrupsionit është evidentuar vetëm progres i kufizuar.
IKD thekson se kriza politike dhe institucionale, bllokadat dhe vonesat në vendimmarrje kanë penguar zbatimin e reformave dhe kanë ndikuar negativisht në procesin e integrimit evropian.
“Institucionet dhe subjektet politike kanë përgjegjësi të drejtpërdrejtë për krijimin e kushteve që sigurojnë funksionimin demokratik, respektimin e Kushtetutës dhe vazhdimësinë e reformave”, thekson IKD.
Instituti ka përmendur edhe kritikat e raportit për krizën financiare të transmetuesit publik.
IKD u ka bërë thirrje institucioneve përgjegjëse të ndërmarrin masa konkrete për zbatimin e rekomandimeve të Komisionit Evropian.
“Kosova nuk ka nevojë për përsëritjen e premtimeve për reforma, por për institucione funksionale, përgjegjësi politike dhe rezultate të matshme”, thekson IKD.

