Qeveria e Kosovës, në mbledhjen e 12-të, të mbajtur në mënyrë elektronike, ka miratuar dy projektligje për ratifikimin e marrëveshjeve të kredisë për përmirësimin e pajisjeve dhe infrastrukturës shëndetësore, si dhe disa nisma për marrëveshje financiare në sektorët e ujësjellësit, energjisë dhe menaxhimit të mbeturinave.
Në mbledhjen e mbajtur më 17 nëntor, Qeveria ka miratuar Projektligjin për Ratifikimin e Marrëveshjes së Kredisë me Bankën Evropiane të Investimeve për projektin “Përmirësimi i Pajisjeve Mjekësore dhe Infrastrukturës”.
Sipas njoftimit të Qeverisë, projekti përfshin blerjen e pajisjeve të reja mjekësore, punimet infrastrukturore për instalimin e tyre, ngritjen e Njësisë së Zbatimit të Projektit, asistencën teknike dhe trajnimin e ekipeve të inxhinierisë biomjekësore.
Po ashtu, është miratuar Projektligji për Ratifikimin e Marrëveshjes së Kredisë me Bankën Zhvillimore të Këshillit të Evropës për projektin “Përmirësimi i Kujdesit Shëndetësor Sekondar dhe Terciar”.
Ky projekt parasheh modernizimin e pajisjeve mjekësore në gjashtë spitale publike, rinovimin e infrastrukturës spitalore, përmirësimin e kapaciteteve diagnostikuese dhe trajtuese, si dhe rritjen e qasjes në shërbimet shëndetësore.
Qeveria ka miratuar gjithashtu nismën për lidhjen e Marrëveshjes për Grant dhe Zbatim të Projektit me Kompaninë Rajonale të Ujësjellësit “Prishtina” dhe KfW Frankfurt am Main, për projektin “Zhvillimi Urban i Përshtatur me Klimën – Ujërat e Zeza në Prishtinë”.
Një tjetër nismë e miratuar është ajo për marrëveshjen e grantit ndërmjet Kosovës, KOSTT-it dhe KfW-së për projektin “Përmirësimi i Rrjetit të Transmetimit”.
Po ashtu, është miratuar nisma për marrëveshjen e grantit me Kompaninë për Menaxhimin e Deponive të Mbeturinave në Kosovë dhe KfW-në, për projektin “Menaxhimi i Mbetjeve të Ngurta II-IV (Kontributi i BE-së)”.
Në këtë mbledhje është miratuar edhe nisma për marrëveshjen e kredisë me Agjencinë Franceze për Zhvillim, për ndërtimin e impiantit për trajtimin e ujërave të zeza në Prishtinë.
Qeveria ka miratuar edhe nismën për marrëveshjen e grantit me Bankën Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim dhe Asociacionin Ndërkombëtar për Zhvillim, për projektin e Fondit të Kosovës për Efiçiencë të Energjisë.
Në pjesën e vendimeve buxhetore, Qeveria ka miratuar kërkesën e Ministrisë së Financave për realizimin e kursimeve dhe ndarjeve buxhetore, si dhe kërkesën për ndarjen e mjeteve për mbulimin e mungesës së krijuar si rezultat i alokimit të parakohshëm.
Gjithashtu, është miratuar kërkesa e Ministrisë së Zhvillimit Rajonal, Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Këshillit Prokurorial të Kosovës dhe Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës për transferimin e mjeteve buxhetore deri në 25% të ndarjeve buxhetore të ndikuara negativisht.

