Ministria e Arsimit dhe Shkencës, në përmbyllje të “Javës kundër Braktisjes së Shkollës”, organizoi një aktivitet me pjesëmarrjen e përfaqësuesve institucionalë, partnerëve ndërkombëtarë, Drejtorive Komunale të Arsimit dhe shkollave, ku u diskutua gjendja aktuale e zbatimit të politikave për parandalimin e braktisjes së shkollimit dhe rëndësia e garantimit të së drejtës për arsim për çdo fëmijë.
Sipas njoftimit, parandalimi i braktisjes së shkollimit u trajtua si përgjegjësi e përbashkët institucionale dhe shoqërore, që kërkon angazhim të vazhdueshëm në të gjitha nivelet.
“Gjithashtu, u theksua rëndësia e identifikimit të hershëm të nxënësve në rrezik, reagimit me kohë dhe bashkëpunimit ndërmjet shkollave, institucioneve dhe prindërve, në mënyrë që çdo fëmije t’i garantohet e drejta për arsim dhe mundësia për të vazhduar shkollimin. Ndërsa të dhënat tregojnë që, shkalla e braktisjes së shkollës ka filluar të shënojë rënie”, thuhet në njoftim.
Në njoftim bëhet e ditur se gjatë aktivitetit, përfaqësuesit e UNICEF-it dhe Save the Children prezantuan kontributin e organizatave të tyre në fushën e arsimit, duke trajtuar rëndësinë e parandalimit të braktisjes si përgjegjësi shtetërore, rolin e arsimit në mirëqenien dhe zhvillimin e fëmijëve, si dhe mbështetjen e shkollave në parandalimin dhe reagimin ndaj rasteve të braktisjes.
“Po ashtu, u prezantua shembulli i praktikës së një shkolle në zbatimin e politikave kombëtare për parandalimin e braktisjes, si dhe roli i Këshillit të Nxënësve në identifikimin e vështirësive me të cilat përballen bashkëmoshatarët”, thuhet në njoftim.
Në përmbyllje të aktivitetit, u ndanë mirënjohje për 32 shkolla, në shenjë vlerësimi për kontributin dhe angazhimin e tyre në parandalimin e braktisjes së shkollimit dhe mbështetjen e nxënësve për të vazhduar edukimin e tyre.

