Wednesday, November 25, 2026
HomeLajme20% e bullgarëve mendojnë se dhuna në familje mund të jetë e...

20% e bullgarëve mendojnë se dhuna në familje mund të jetë e merituar

Madhësia e shkronjave

Sipas të dhënave të një analize të Agjencisë së Bashkimit Evropian për të Drejtat Themelore (FRA), i cili shqyrton dhunën ndaj grave në vendet e BE-së, Bullgaria rezulton të ketë përqindjen më të ulët të rasteve të raportuara të dhunës fizike ose seksuale: 11,9% e grave raportojnë se kanë qenë viktima të një dhune të tillë, ndërkohë që mesatarja në BE është 31%. Megjithatë, kjo nuk është domosdoshmërisht një shenjë pozitive. Të dhënat e mbledhura nxjerrin në pah një tjetër problem: në Bullgari, më shumë njerëz se në çdo vend tjetër të BE-së e konsiderojnë dhunën në familje si një çështje private, që u përket vetëm familjarëve ose individëve të përfshirë. Këto të dhëna vijnë në vëmendje në prag të Ditës Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës ndaj Grave, e cila, me nismën e OKB-së, shënohet çdo vit më 25 nëntor. Ndërkohë, nga një anketim i Agjencisë Sociologjike „Trend“ mësojmë se çdo i dyti bullgar e konsideron të pranueshme goditjen me shuplakë, ndërsa 18% e bullgarëve mendojnë se dhuna në familje mund të jetë e merituar.

Kamelija Dimitrova

Kamelija Dimitrova

FOTO: Facebook/ Kamelija Dimitrova

„Për mua është tronditëse që ende gati një e pesta e popullsisë mendon se dhuna në familje mund të jetë e merituar. Ky perceptim nënkupton se viktimat mund ta shkaktojnë vetë dhunën, qoftë përmes mënyrës së tyre të veshjes, qoftë përmes sjelljes, duke i bërë kështu përgjegjëse për atë që u ndodh. Ky është një mentalitet me të cilin duhet të luftojmë, duke e zhvendosur vëmendjen te burimi i vërtetë i problemit: sjellja e dhunuesit dhe mosrespektimi i kufijve fizikë të tjetrit. Këto të dhëna shpjegojnë edhe pse, si në Bullgari, ashtu edhe në Evropë në tërësi, një në tri gra ka qenë viktimë e një forme të dhunës, qoftë psikologjike, seksuale apo fizike“ – u shpreh në një intervistë për Radio Bullgarinë Kamelija Dimitrova, kryetare e Fondacionit „Dignita“, që lufton trafikimin e qenieve njerëzore. Ajo shtoi se për sa kohë shoqëria nuk arrin të kuptojë se çfarë përfshin dhuna në të gjitha format e saj, cilat janë shenjat që e paralajmërojnë atë dhe se në shumicën e rasteve ajo nis si një formë e dhunës psikologjike, nuk mund të bëhet fjalë për zgjidhjen e këtij problemi. Përndryshe, përgjegjësia dhe zgjidhja do të vazhdojnë të kërkohen gjithmonë gjetkë, në vend që të trajtohet shkaku i vërtetë i dhunës.

20% e bullgarëve mendojnë se dhuna në familje mund të jetë e merituar

FOTO: magnific.com

„Vajzat i edukojmë se si të mbrohen, të kërkojnë ndihmë dhe të shmangin sjelljet që mund të keqinterpretohen si provokuese; u themi të mos kalojnë në vende të errëta gjatë natës dhe të largohen me vrap nëse dikush i kërcënon. Por, nga ana tjetër, nuk merremi sa duhet me anën tjetër të medaljes: sjelljen agresive që vjen nga bashkëmoshatarët e tyre apo nga burra të rritur. Në këtë drejtim, përgjegjësi ka çdo institucion shtetëror, sistemi ynë arsimor, shoqëria civile dhe media.“

Një pyetje e rëndësishme, së cilës ende nuk i është dhënë një përgjigje e qartë, është se sa nga viktimat e trafikimit të qenieve njerëzore kanë përjetuar edhe forma të tjera të dhunës. Kjo lidhet me faktin se profilet e viktimave të këtyre dy llojeve të veprave penale kanë shumë ngjashmëri. Megjithëse nuk ka të dhëna statistikore që tregojnë se sa shpesh mbivendosen këto dy fenomene, ekspertët, bazuar në përvojën e tyre, vlerësojnë se 80–90% e viktimave të trafikimit kanë përjetuar më parë edhe forma të tjera të dhunës.

„Dhuna nuk ushtrohet gjithmonë nga partneri intim. Ne punojmë edhe me djem dhe burra që kanë qenë viktima të trafikimit dhe që mund të kenë përjetuar më parë dhunë edhe brenda familjes së tyre. Prandaj, mund të them se janë të rralla rastet kur viktimat e trafikimit nuk kanë përjetuar edhe forma të tjera të dhunës ose nuk janë rritur në një mjedis ku dhuna është konsideruar, deri në njëfarë mase, si diçka normale“, thekson Kamelija Dimitrova.

Ndër faktorët që mund ta bëjnë një person më të cenueshëm ndaj dhunës ose trafikimit të qenieve njerëzore janë edhe traumat e përjetuara gjatë fëmijërisë. Kur një person ka qenë viktimë e dhunës që në moshë të hershme, mekanizmat e tij mbrojtës dobësohen ose dëmtohen deri në atë pikë sa e kanë më të vështirë të mbrohet nga situata të ngjashme.

20% e bullgarëve mendojnë se dhuna në familje mund të jetë e merituar

FOTO: magnific.com

„Prandaj, ne i kushtojmë vëmendje të veçantë punës me fëmijët që rriten jashtë mjedisit familjar, në të ashtuquajturat qendra të tipit familjar ose banesa të mbrojtura. Në shumicën e rasteve, këta fëmijë kanë përjetuar rrethana të vështira në familjet e tyre, kryesisht të lidhura me dhunën.Ndër faktorët e tjerë që ndikojnë në cenueshmërinë e tyre janë niveli i ulët arsimor dhe statusi i pafavorshëm social-ekonomik, përjashtimi shoqëror, si dhe migrimi i detyruar.Kur një person detyrohet të largohet nga vendlindja, mundësitë për t’u përballur me vështirësitë e jetës janë të kufizuara, ndërsa vendimet që merr shpesh janë të nxitura nga dëshpërimi. Një tjetër faktor që nuk duhet lënë pas dore është fakti se shumë prej këtyre personave nuk i njohin të drejtat e tyre si qytetarë.“

Mungesa e vlerësimit, pranimit dhe respektit të duhur nga ana e familjarëve, miqve dhe shokëve të klasës bën që shumë të rinj sot të shfaqin sjellje provokuese, përmes së cilave përpiqen të tërheqin vëmendjen e të tjerëve, edhe nëse kjo vëmendje nuk është gjithmonë e shëndetshme. Sipas bashkëbisedueses sonë, kjo sjellje mund të ketë disa shkaqe. Ajo mund të lidhet me përvojat familjare, veçanërisht kur fëmijët janë rritur në një mjedis ku dhuna është shfaqur dhe është konsideruar si diçka normale. Faktorë të tjerë mund të jenë vetmia dhe dëshira për të tërhequr vëmendjen, për t’u dalluar dhe për t’u pëlqyer nga të tjerët. Por, çfarë do të thotë sot të jesh i pëlqyer nga të tjerët?

20% e bullgarëve mendojnë se dhuna në familje mund të jetë e merituar

FOTO: magnific.com

„Ajo që po vërejmë sot në Evropë dhe në SHBA është krijimi i një modeli të ri të pranimit shoqëror, i lidhur me atë që njihet si modeli toksik i burrërisë. Kjo temë është trajtuar tashmë në disa dokumentarë që kanë tërhequr vëmendjen e publikut. Por, për fat të keq, nuk bëhet fjalë për sjellje të izoluara apo të rralla. Përkundrazi, gjithnjë e më shumë po shfaqen dhe po normalizohen modele sjelljeje të bazuara në dominimin mashkullor, mentalitetin patriarkal dhe mizogjininë (përçmimin ndaj grave – shën. i red.). Një rol në përhapjen e këtij fenomeni luajnë edhe rrjetet sociale, të cilat shpesh u japin më shumë hapësirë përmbajtjeve radikale, pikërisht sepse ato tërheqin më shumë interes. Kështu, një model i tillë sjelljeje, që në thelb është regresiv dhe diskriminues, nis të shihet si diçka tërheqëse, madje edhe si një model për t’u ndjekur nga të rinjtë. Prej këtu deri te shfaqja e dhunës rruga është e shkurtër.“

A mund të themi se sjellje të tilla shfaqen në mënyrë ciklike?

„Do të shpresoja që ky fenomen të ishte ciklik, sepse kjo do të nënkuptonte se pas kësaj periudhe rritjeje do të vinte sërish një periudhë tkurrjeje. Megjithatë, kam frikë se për ta rikthyer atë brenda kufijve të ngushtë dhe për ta kufizuar në qarqe e komunitete të margjinalizuara, do të nevojiteshin përpjekje jashtëzakonisht të mëdha – vlerëson Kamelija Dimitrova. – Këto përpjekje duhet të përfshijnë edukimin për të menduarit kritik, organizimin e diskutimeve mbi kuptimin e kufijve personalë, barazinë dhe luftën kundër dezinformimit.“/bnrnew

RELATED ARTICLES

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Most Popular

Recent Comments

Instagram