Samiti i parë i Ballkanit Perëndimor kundër diskriminimit racor grumbulloi përfaqësues të vendeve të rajonit në Prishtinë, ku u diskutua për problemet që po e pengojnë procesin e integrimit të minoriteteve etnike në shoqëri.
Drejtori i organizatës Zëri i Romëve, Ashkalinjve dhe Egjiptianëve, Isak Skënderi, tha se Kosova dhe shtetet e tjera ballkanike kanë ngecur në procesin e integrimit të komuniteteve minoritare, si të atij rom.
“Sot, në Kosovë, ashtu si edhe në shtetet e tjera ballkanike, romët janë të ngujuar në një qark vicioz të përjashtimit. Atyre u mungojnë mundësitë dhe mungojnë shërbimet”, u shpreh Skënderi, duke shtuar se qëllimi kryesor i tij është të punohet drejt një shoqërie “me të vërtetë shumetnike në Kosovë”.
Se gjendja e komuniteteve minoritare nuk është e mirë, e tha edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti. Ai tha se përveç ndërgjegjësimit institucional duhet të punohet edhe për vetëdijesimin shoqëror.
“Gjendja e komuniteteve nuk është e mirë si nga aspekti i diskriminimit, ashtu edhe nga ai i varfërisë dhe mungesës së mundësive në aspektin socio-ekonomik”, u shpreh Kurti, teksa shtoi se arsimimi dhe punësimi janë problemet kryesore në procesin e integrimit.
Mbi 90 për qind e pjesëtarëve të komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian janë të papunësuar, sipas Zyrës për çështje të komuniteteve në kuadër të Zyrës së Kryeministrit të Kosovës. Ndërsa, për nivelin e edukimit të tyre nuk ka të dhëna.
Probleme të ngjashme lidhur me diskriminimin racor hasin edhe minoritetet etnike në vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, sipas Fatmir Gjekës, ministër i të Drejtave të Njeriut dhe Minoriteteve në Mal të Zi. Ai tha se “kjo çështje nuk është çështje e një vendi, porse problemet janë të përbashkëta”.
Gjeka bëri të ditur se me gjithë sfidat, me të cilat përballen ende këto komunitete në rajon, Mali i Zi ka ndërmarrë disa hapa, si: financimin e udhëtimit për në shkollë, ndarjen e bursave dhe mbështetjes financiare për nxënës nga komunitetet minoritare.
Në Kosovë, në tetor të këtij viti, Ministria e Arsimit ndau 100 bursa për studentë të komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian që studiojnë në Fakultetin e Edukimit, ndërsa 500 bursa të tjera janë ndarë për studentë në drejtime të ndryshme.
Artan Grubi, ministër i Sistemit Politik dhe Marrëdhënieve Ndërmjet Komuniteteve në Maqedoninë e Veriut, tha se edhe vendi i tij po angazhohet vazhdimisht të zhdukë paragjykimet dhe diskriminimin racor në shoqëri.
“Legjislatura duhet të përcillet me procesin e vështirë të çlirimit të çdo njeriu nga paragjykimet që ka për të tjerët”, u shpreh Grubi, duke shtuar se ka raste kur prindërit vendosin t’i dërgojnë fëmijët në shkolla më të largëta vetëm për të mos i lënë fëmijët e tyre në shkollë me shumë nxënës të komuniteteve minoritare.
I pranishëm në këtë Samit, ku fokusi ishte te komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian, ishte edhe ambasadori i ShBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier. Ai foli për sfidat që vetë ShBA-ja ka kaluar në luftën kundër diskriminimit racor, teksa tha se mësimi kryesor për të gjithë është që “të mos jemi tolerantë ndaj jotolerancës”.
“Nuk duam që të kemi Betimin e Hipokratit, që të mos bëjmë keq. Duam të kemi standard më të lartë. Duhet të kemi një angazhim të qëndrueshëm”, u shpreh Hovenier.
Ndërkohë, shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog, tha se edhe Evropa është përballur me sfida të tilla për shekuj me radhë, por tani ka politikën e “zero tolerancës ndaj çfarëdo forme të diskriminimit”.
“Dua ta përfundoj fjalimin duke e njohur të gjithë punën që është ndërmarrë, por edhe si përkujtues i të gjitha sfidave që duhet ende t’i tejkalojmë për t’ua përmirësuar jetën atyre që janë më të cenueshëm”, u shpreh Szunyog.
Ambasadori i BE-së u shpreh i kënaqur me vendimin e javës së kaluar të Komunës së Prizrenit për ta njohur gjuhën rome si gjuhë zyrtare në këtë komunë.
Sipas të dhënave nga regjistrimi i popullsisë në vitin 2011, në Kosovë jetojnë 8.824 romë, 15.436 ashkalinj dhe 11.524 egjiptianë. Në radhët e komuniteteve të tjera në Kosovë bëjnë pjesë: serbët, turqit, boshnjakët dhe goranët.
Muchas gracias. ?Como puedo iniciar sesion?