Wednesday, June 3, 2026
HomeLajmeKosovëHaxhiu dhe Costa diskutojnë integrimin evropian dhe Planin e Rritjes

Haxhiu dhe Costa diskutojnë integrimin evropian dhe Planin e Rritjes

Për Republikën e Kosovës, anëtarësimi në Bashkimin Evropian mbetet orientim strategjik, zgjedhje politike e qytetarëve dhe interes afatgjatë shtetëror. Kështu deklaroi ushtruesja e detyrës së Presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, gjatë takimit me Presidentin e Këshillit Evropian, António Costa, në vizitën e tij në Prishtinë.

Costa po qëndron në Kosovë në kuadër të turneut të tij në Ballkanin Perëndimor, para Samitit BE–Ballkani Perëndimor, i cili do të mbahet në Tivat.

U.d. Presidentja Haxhiu nënvizoi se Kosova mbetet një nga shoqëritë më proevropiane në rajon.

“Për qytetarët e saj, Bashkimi Evropian është një bashkësi e demokracisë, sundimit të ligjit, paqes dhe dinjitetit. Në një kohë të ndikimeve të dëmshme në rajon, orientimi i qartë dhe i rrënjosur evropian i Kosovës duhet të shihet si vlerë edhe për vetë Bashkimin Evropian”, deklaroi Haxhiu, njofton Presidenca e Kosovës.

Në takim, sipas njoftimit, u diskutua për rrugën evropiane të Kosovës, nevojën për avancimin e procesit të integrimit, si dhe rëndësinë e zbatimit të reformave që lidhen me Planin e Rritjes për Ballkanin Perëndimor.

U.d. Presidentja Haxhiu theksoi se Kosova e sheh këtë plan si një mundësi konkrete për zhvillim ekonomik, afrim me tregun e përbashkët evropian dhe përfitime të drejtpërdrejta për qytetarët.

“Presidenti Costa theksoi se çështjet që lidhen me integrimin në Bashkimin Evropian dhe zbatimin e Planit të Rritjes kërkojnë pajtim ndërpartiak dhe konsensus kombëtar në Kosovë, përtej dallimeve politike e partiake”, njofton Presidenca.Në këtë frymë, thuhet se U.d. Presidentja Haxhiu ka theksuar se Kosova mbetet e përkushtuar për ta çuar përpara agjendën evropiane përmes reformave, koordinimit institucional dhe bashkëpunimit të ngushtë me Bashkimin Evropian. Ajo shtoi se Kosova ka dëshmuar përkushtim ndaj demokracisë, sundimit të ligjit, të drejtave themelore dhe bashkëpunimit me Bashkimin Evropian.

Në takim u diskutua edhe për zhvillimet në rajon, rëndësinë e sigurisë dhe stabilitetit, si dhe nevojën që perspektiva evropiane e Ballkanit Perëndimor të shoqërohet me hapa konkretë, të drejtë dhe të barabartë për të gjitha vendet që zbatojnë reformat dhe respektojnë vlerat evropiane.

Sipas njoftimit, U.d. Presidentja Haxhiu ritheksoi se Republika e Kosovës mbetet e përkushtuar për marrëdhënie të ngushta me Bashkimin Evropian dhe për një proces integrimi që vlerëson meritat, përmbushjen e kritereve dhe përparimin e Kosovës.

RELATED ARTICLES

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Most Popular

Recent Comments

Instagram