Friday, June 19, 2026
HomeGjeopolitikOpinionA na janë sakatosur vlerat?

A na janë sakatosur vlerat?

“Unë, deputeti i Kuvendit të Republikës së Kosovës, betohem se me nder e me përkushtim do ta kryej detyrën time dhe do ta përfaqësoj me dinjitet popullin, do të punoj në interes të Kosovës…”Kjo është deklarata e betimit të deputetëve. Por, kur sheh sjelljet, fjalorin dhe veprimet e një pjese të tyre, pyetja shtrohet vetvetiu: a është ky betim vetëm një formalitet që harrohet sapo mbaron ceremonia?

Zejdush Kastrati

Për afro 20 vjet kam përcjellë punën e Kuvendit dhe të Qeverisë së Kosovës si gazetar. Me përgjegjësi të plotë them se asnjëherë nuk kam pasur mosmarrëveshje, konflikte apo përplasje me deputetë, zyrtarë apo pjesëtarë të policisë që kujdesen për rendin dhe sigurinë në Kuvend e në Qeveri.

Edhe në kohët kur pati përplasje fizike, hedhje të gazit lotsjellës apo vizita të nivelit më të lartë shtetëror e ndërkombëtar, unë kam kryer punën time pa pengesa. Bashkëpunimi për qasje në takime, intervista apo sigurimin e informatave ka qenë gjithmonë në nivelin e duhur.
Kam qenë dëshmitar dhe pjesëmarrës në situata që sot duken të pabesueshme. Në vitin 2009, gjatë përplasjes mes Xhavit Halitit dhe Gani Gecit, kam ndërhyrë fizikisht për t’i ndarë, jo pse favorizoja njërin apo tjetrin, por sepse nuk doja të njollosej institucioni. Bashkë me mua ishin edhe Vlora Çitaku, Ismet Beqiri dhe Muzejne Selmani. Në vitin 2012, kam ndërhyrë sërish për të ndarë deputetët gjatë përplasjes mes Rexhep Selimit, Latif Gashit, Kamishit dhe të tjerëve në hollin dhe oborrin e Kuvendit. E kam bërë sepse kam besuar dhe vazhdoj të besoj se institucioni i shtetit është dhe duhet të mbetet i shenjtë.
Po ashtu, kam përjetuar kënaqësinë e veçantë kur në një nga tualetet e Kuvendit gjeta një portofol me 2000 euro. Thirra menjëherë policinë dhe sekretarin e Kuvendit për të verifikuar rastin. Portofoli i përkiste një zyrtari që sapo kishte marrë kredi për të shlyer borxhet e krijuara gjatë ndërtimit të shtëpisë. Lotët e gëzimit të tij kur e mori mbrapsht portofolin mbeten ndër kujtimet më njerëzore që kam nga ai institucion.
Kam parë e dëgjuar skena e prapaskena që zor se i përshkruan edhe lapsi. Kam qenë dëshmitar i ngjarjeve gjatë zgjedhjes së Behgjet Pacollit president, i presioneve për votimin e Gjykatës Speciale nga emisarë e zyrtarë vendorë e ndërkombëtarë, si dhe i ofendimeve nga më të ndryshmet mes deputetëve.
Por ajo që më ka lënë më së shumti mbresë dhe më brengos edhe sot është servilizmi i skajshëm ndaj liderëve politikë dhe ndaj ndërkombëtarëve. E kam parë pothuajse te të gjitha partitë. Kam parë shumë pak iniciativa të sinqerta për ligje dhe politika në interes të zhvillimit të vendit, ndërsa kam dëgjuar pafund biseda e skenarë se si të dëmtohet kundërshtari politik, si të merret pushteti ose si të ruhet ai.
Me keqardhje e them se këto janë ndër legjislaturat më të dobëta që ka pasur Kuvendi i Kosovës. Me ndonjë përjashtim të rrallë, niveli profesional i deputetëve në aspektin e politikëbërjes është dëshpërues. Shpesh shihen të papërgatitur, pa vizion, pa kulturë institucionale, me sjellje rrugaçërore, me akuza banale e bajate. Në veçanti dallohen shefat e grupeve parlamentare për arrogancën e tyre, të cilët shumë rrallë reflektojnë kulturë dialogu, ndërsa shpesh prodhojnë përçarje, urrejtje dhe sharlatanizëm politik.
Kuvendi është shndërruar në një arenë gladiatorësh dhe gjithnjë e më pak ngjan me institucionin më të lartë legjislativ të vendit.
Mandati kushtetues i deputetit është i përcaktuar qartë. Edhe Rregullorja e Kuvendit e sanksionon qartë përgjegjësinë e tyre. Në momentin e betimit secili deputet deklaron:
“Unë, deputeti i Kuvendit të Republikës së Kosovës, betohem se me nder e me përkushtim do ta kryej detyrën time dhe do ta përfaqësoj me dinjitet popullin, do të punoj në interes të Kosovës…”

Por sa po respektohet ky betim?

Përgjigjen nuk e japin deklaratat e tyre, por veprat. E faktet janë kokëforta. Mjafton të ndiqen seancat parlamentare për të kuptuar se sa larg është larguar një pjesë e politikës sonë nga dinjiteti, përgjegjësia dhe interesi publik.
Fatkeqësisht, duket se si shoqëri na janë sakatosur disa prej vlerave themelore. Dhe më shqetësuese se kaq është fakti se një pjesë e mirë e deputetëve duket se po udhëhiqen më shumë nga interesat personale, partiake dhe grupore sesa nga interesi shtetëror.
Deklaratat e tyre pas zgjedhjeve të fundit nuk japin shumë arsye për optimizëm. Bllokadat, përçarjet, inatet politike dhe akuzat e ndërsjella kanë nisur që në start. Në vend të garës së ideve, po shohim garë për protagonizëm; në vend të përgjegjësisë, arsyetime; në vend të shtetit, parti.
Pa një reflektim të thellë dhe pa një tronditje serioze të kësaj kaste politike, vështirë se mund të pritet ndonjë ndryshim i madh. Sepse problemi nuk është vetëm te mungesa e numrave për të formuar institucione, por te mungesa e kulturës politike për t’i bërë ato të funksionojnë në shërbim të qytetarëve dhe të shtetit.

RELATED ARTICLES

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Most Popular

Recent Comments

Instagram