Në Prishtinë është hapur festivali multikulturor “Të Festojmë Ngjashmëritë Tona”, një ngjarje që promovon kulturën, historitë dhe kontributin e komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian në shoqërinë kosovare.
Në kuadër të festivalit u prezantua edhe Muzeu Mobil KRAH, i cili përmes rrëfimeve dhe përvojave të ndryshme krijon një hapësirë reflektimi mbi respektin, mirëkuptimin dhe bashkëjetesën ndërmjet komuniteteve.
Në ceremoninë e hapjes morën pjesë edhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti dhe ministrja në detyrë e Kulturës, Saranda Bogujevci, si dhe përfaqësues të institucioneve dhe komuniteteve pjesëmarrëse.
Organizatorët theksuan rëndësinë e promovimit të diversitetit kulturor dhe të forcimit të dialogut ndërmjet komuniteteve, duke e konsideruar atë një vlerë të rëndësishme për zhvillimin dhe kohezionin shoqëror në Kosovë.
Festivali synon të ofrojë një platformë për njohjen dhe vlerësimin e trashëgimisë kulturore të komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian, duke nxitur respektin dhe përfshirjen në shoqëri.

