Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ka bërë të ditur se i ka kthyer përgjigje kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, lidhur me ftesën për takim për formimin e institucioneve.
Pas mbledhjes së Kryesisë së PDK-së, Hamza tha se partia e tij është e gatshme të takohet me Kurtin të premten në ora 09:00, në ambientet e Kuvendit të Kosovës.
“Ja ktheva shkresën që PDK-ja është e gatshme të takohet nesër me Kurtin në ora 09:00 në ambientet e Kuvendit të Kosovës”, ka thënë Hamza.
Ai theksoi se, për shkak të situatës në të cilën ndodhet vendi, takimet duhet të zhvillohen me seriozitet dhe përgjegjësi institucionale.
“Unë do të sillem në mënyrë të përgjegjshme dhe institucionale. Nuk jam kundër që të ketë takime, mirëpo para se të flasim për pozitat e kam thënë dhe e ripërsëris është tepër e rëndësishme prioritetet, vizioni për të ardhmen, programi, adresimi i sfidave të cilat i ka Kosova. Nëse nuk ka dakordim për këto, nuk është qëllimi i PDK-së të ketë një numër të caktuar të ministrive, të ketë një kryetar kuvendi, presidentin apo sidoqoftë”, ka deklaruar ai.
Hamza tha se para diskutimit për ndarjen e posteve, duhet të ketë pajtim për çështjet programore dhe mënyrën e qeverisjes.
Sipas tij, edhe mënyra e dërgimit të ftesës për takim duhet të respektojë rregullat institucionale.
“Ftesa duhet të dërgohet në mënyrën se si e kërkon rendi që të dërgohet nga kryetari i partisë me numrin më të madh të ulëseve të siguruara në Kuvendin e Kosovës dhe të mbahet në objektet e Kuvendit të Republikës së Kosovës”,deklaroi Hamza.
Kryetari i PDK-së theksoi se nuk është kundër takimeve me Kurtin, por ka kërkuar që diskutimet të përqendrohen në prioritetet e vendit dhe jo në ndarjen e posteve.

