“Muzeu nuk është vetëm vendi ku ruhen trofetë. Ai është vendi ku ruhet kujtesa, trashëgimia dhe frymëzimi për gjeneratat e ardhshme.”
Historia e sportit kosovar duhet të ruhet, dokumentohet dhe t’u përcillet brezave. Kosova ka një histori të pasur sportive dhe, mbi të gjitha, ka kampionë që kanë ngritur emrin e vendit në arenat ballkanike, evropiane, botërore dhe olimpike. Pikërisht për këtë arsye, ideja për krijimin e një Muzeu të Sportit të Kosovës nuk duhet të shihet vetëm si një dëshirë e njerëzve të sportit, por si një domosdoshmëri për ruajtjen e trashëgimisë sonë sportive. Kosova tashmë ka shkruar faqe të rëndësishme në historinë olimpike. Por historia e sportit kosovar është shumë më e gjerë se medaljet olimpike. Ajo përfshin kampionë të shumë sporteve, ekipe, klube, trajnerë, gjyqtarë, sportistë dhe njerëz që për dekada kanë kontribuar në zhvillimin e sportit në Kosovë.

Profesori i kulturës fizike, dhe një nga figurat e njohura të sportit, Ejup Maxhera, thotë se Kosova ka një nevojë të madhe për krijimin e një Muzeu të Sportit, ku do të ruhej dhe prezantohej historia e sportit kosovar dhe kontributi i gjeneratave të sportistëve.
Sipas tij, kjo nevojë ka ekzistuar edhe para luftës, por është e çuditshme që pas luftës askush nuk ka ndërmarrë një nismë konkrete për krijimin e një institucioni të tillë.
“Çdo shtet i zhvilluar në botë ka muze sporti. Madje, përveç muzeve të përgjithshme të sportit, ekzistojnë edhe muze të veçantë për sporte të caktuara, aty ku ato sporte kanë traditë, zhvillohen dhe organizojnë aktivitetet e tyre”, shprehet Maxhera për Kosova.info.
Ai thekson se problemi nuk ka qenë vetëm mungesa e mjeteve financiare, por mbi të gjitha mungesa e organizimit dhe këshillimit profesional.
“Mjete ka pasur dhe ka, edhe pse jo sa duhet. Por ajo që ka munguar është organizimi profesional dhe njerëzit që e dinë se çfarë është muzeu, çfarë është sporti dhe çfarë mund të arrijë një muze sporti”, thotë ai.
Sipas Maxherës, një muze i tillë nuk do të ishte vetëm një hapësirë ku ruhen trofe, fotografi apo pajisje sportive. Ai do të ishte një institucion që ruan trashëgiminë dhe njëkohësisht frymëzon gjeneratat e reja.
“Muzeu e ka trashëgiminë e lidhur me të. Gjeneratat që e vizitojnë, e shohin historinë, e përcjellin atë dhe marrin frymëzim e dëshirë për t’u marrë me sport. Edhe kështu lindin talentet”, thekson Maxhera.
Ai vlerëson se iniciativa për një Muze Qendror të Sportit duhet të vijë nga profesionistët dhe institucionet përgjegjëse.
“Ministria dhe Departamenti i Sportit tashmë kanë njerëz profesionistë që mund ta bëjnë këtë, por mungon iniciativa. Iniciativën duhet ta japë ai njeri që e ndien në shpirt rëndësinë e një muzeu të tillë”, shprehet ai.
Maxhera e konsideron të rëndësishëm edhe hapin e parë drejt realizimit të kësaj ideje.
“Është shumë domethënëse dhe shumë e rëndësishme që është ndërmarrë një hap i tillë për të nisur punën. Ka mundësi. Nuk kërkohen domosdoshmërish investime të mëdha në fillim; më tepër kërkohet organizim profesional. Duhet të përgatiten tezat dhe koncepti për një muze qendror, pastaj aty mund të përfshihen dhe zhvillohen edhe koleksionet e sporteve të veçanta”, thotë Maxhera.
Ai përmend edhe shembujt nga komunat dhe komunitetet lokale, të cilat kanë filluar të dokumentojnë historinë e tyre sportive.
“Peja e ka bërë një libër shumë të mirë për sportin e Pejës. Edhe unë e kam bërë një monografi për fshatin Bardh i Madh, ku ekziston një shoqëri sportive, e vetmja në një fshat të tillë. Ata e kanë bërë një muze për fshatin, ndërsa unë kam insistuar që të përfshihet edhe historia e sportit”, tregon ai.
Maxhera, i cili për shumë vite ka qenë kryetar i Shoqatës së Bjeshkatarëve dhe Alpinistëve “Prishtina”, thotë se edhe për historinë e bjeshkatarisë dhe alpinizmit në Kosovë ka përgatitur material të mjaftueshëm për një muze të veçantë.
“Kam qenë shumë vite kryetar i Shoqatës së Bjeshkatarëve dhe Alpinistëve ‘Prishtina’, në kohën kur ka ekzistuar edhe skijimi në Gërmi. Për një muze të bjeshkatarisë dhe alpinizmit i kam të gatshme tezat dhe kam edhe rekuizita. Jam duke shkruar edhe librin, por duhet ta sistemoj të gjithë materialin. Edhe kjo mund të dalë në një formë shumë të mirë”, përfundon Maxhera.
Ideja për një Muze të Sportit në Kosovë, sipas tij, nuk duhet të shihet vetëm si një projekt kulturor, por si një investim në kujtesën, identitetin dhe edukimin sportiv të gjeneratave të ardhshme.
Kasumi: Sporti kosovar e meriton një Muze të Sportit
“Kemi kampionë ballkanikë, evropianë, botërorë dhe olimpikë. Këto janë histori që duhet të ruhen dhe t’u prezantohen gjeneratave të reja.”

Ish-referi kombëtar i futbollit dhe një nga themeluesit e Shoqatës së Gjyqtarëve të Republikës së Kosovës, Ismajl Kasumi, e mbështet fuqishëm idenë për krijimin e një Muzeu të Sportit në Kosovë.
Kasumi thotë se sporti kosovar e meriton një institucion të tillë duke pasur parasysh rezultatet dhe sukseset e sportistëve tanë ndër vite.
“Sporti kosovar e meriton një Muze të Sportit. Kemi kampionë ballkanikë, evropianë, botërorë dhe olimpikë. Të gjitha këto medalje, edhe pse shumë prej tyre janë individuale, përbëjnë një histori të madhe të sportit tonë”, shprehet Kasumi për Kosova.info.
Ai veçon edhe sukseset e sportit të boksit duke kujtuar se sportistët shqiptarë kanë arritur rezultate të jashtëzakonshme edhe në periudha kur kushtet nuk kanë qenë aspak të favorshme.
“Mos të harrojmë se kemi pasur edhe një ekip në boks që ka qenë kampion i shumëfishtë, në një sistem që nuk ka qenë i mirë për shqiptarët. Sot kemi kampionë botërorë dhe olimpikë. Për këtë arsye jam i mendimit se duhet ta kemi një Muze të Sportit në përgjithësi.”
Kasumi, i cili për një kohë të gjatë është aktiv në sport, veçanërisht në futboll, vlerëson se edhe zhvillimi i futbollit kosovar është një arsye tjetër pse historia e tij duhet të dokumentohet dhe të ruhet.
“Jam aktiv në sport një kohë shumë të gjatë, sidomos në futboll, ku ky sport vite pas viti vetëm po përparon, si me klubet, ashtu edhe me Përfaqësuesen e Kosovës.”
Sipas tij, një Muze i Sportit do të duhej të përfshinte historinë e të gjitha sporteve, figurat më të rëndësishme, trofetë, medaljet, fotografitë, dokumentet dhe pajisjet që kanë shënuar periudha të ndryshme të sportit kosovar.
Kasumi shprehet i gatshëm të japë kontributin e tij në realizimin e kësaj ideje.
“Jam dhe do të kontribuoj, nëse mundem, që të jetësohet ky muze”, thotë ai.
Për Ismajl Kasumin, krijimi i Muzeut të Sportit nuk është vetëm çështje e së kaluarës. Është një mënyrë për t’u treguar brezave të rinj se çfarë kanë arritur sportistët kosovarë dhe për t’i frymëzuar ata që të vazhdojnë rrugën e suksesit. “Sporti kosovar ka një histori që meriton të ruhet, të dokumentohet dhe t’u përcillet gjeneratave.” Në fund, mesazhi i tij është i qartë: Kosova nuk duhet ta humbë historinë e sportit të saj.
Një shtëpi për historinë e kampionëve
Kosova i ka kampionët. I ka medaljet. I ka historitë. Tani i duhet një vend ku e gjithë kjo histori të ruhet dhe t’u tregohet brezave. Një Muze i Sportit në Kosovë do të mund të ruheshin medaljet e kampionëve, fanellat, trofetë, fotografitë, dokumentet, pajisjet sportive, historitë personale të sportistëve, materialet filmike dhe dëshmitë e njerëzve që kanë qenë pjesë e zhvillimit të sportit. Nga kampionët e gjeneratave të hershme deri te sukseset olimpike të Kosovës së sotme, çdo periudhë do të duhej të kishte vendin e saj. Sepse një komb që harron kampionët e vet, rrezikon të humbasë një pjesë të rëndësishme të kujtesës së tij. Një Muze Kombëtar i Sportit do të ishte pikërisht ajo shtëpi. I.Krasniqi

