Thursday, October 15, 2026
HomeKulturëKurti në 80-vjetorin e Teatrit Kombëtar: Po investojmë mbi 7 milionë euro

Kurti në 80-vjetorin e Teatrit Kombëtar: Po investojmë mbi 7 milionë euro

Kryeministri Albin Kurti, së bashku me ministren e Kulturës dhe Turizmit, Saranda Bogujevci, mori pjesë në shënimin e 80-vjetorit të Teatrit Kombëtar të Kosovës, ku theksoi rëndësinë e këtij institucioni për jetën kulturore të vendit dhe bëri të ditur se mbi shtatë milionë euro po investohen për rinovimin e tij.

Kurti tha se Teatri Kombëtar, historia e të cilit nisi në Prizren në vitin 1946 dhe vazhdoi më pas në Prishtinë, ka zënë një vend të rëndësishëm në jetën kulturore dhe në historinë e artit skenik në Kosovë.

“Përgjatë tetë dekadave, kjo skenë ka sjellë vepra e interpretime të cilat kanë lënë gjurmë në kulturën tonë dhe kanë krijuar një lidhje të veçantë me publikun”, tha Kurti.

Ai kujtoi edhe periudhat e vështira nëpër të cilat ka kaluar ky institucion, veçanërisht gjatë viteve të ’90-ta, kur përjashtimi i artistëve shqiptarë nga institucionet dhe kufizimi i lirisë krijuese e vunë teatrin përballë sfidave të mëdha.

Kryeministri shprehu mirënjohje për komunitetin teatror të Kosovës, për punën dhe përkushtimin në ruajtjen dhe zhvillimin e këtij institucioni ndër vite.

Duke folur për investimet në Teatrin Kombëtar, Kurti bëri të ditur se aktualisht po investohen mbi shtatë milionë euro për rinovimin e tij.

“Në Teatrin Kombëtar të Kosovës po investojmë mbi shtatë milionë euro. Me përfundimin e punimeve, synojmë t’i kthejmë institucionit një pamje të rinovuar dhe kushte shumë më të mira, duke ruajtur autenticitetin e tij. Sepse Teatri Kombëtar nuk është vetëm shtëpi e artit, por edhe pjesë e trashëgimisë sonë kulturore”, tha ai.

Kurti theksoi se Qeveria e Kosovës do të vazhdojë të mbështesë krijimtarinë artistike dhe zhvillimin e institucioneve kulturore, me synimin që teatri të mbetet një skenë e hapur për ide të reja, artistët e rinj dhe publikun.

“Duke e bërë kulturën sa më artistike dhe artin kulturë të shoqërisë, sfera publike shfaqet si shkollë e hapur për edukim estetik të qytetarëve. E teatri është në qendër. Teatri si arti që na e mëson e shqyrton më së miri raportin e secilit me tjetrin dhe rikthimin te vetja”, shtoi ai.

Në fund, Kurti uroi komunitetin teatror për 80-vjetorin e institucionit.

“Tetëdhjetë vjet janë një histori e çmuar, por edhe përgjegjësi për të ardhmen”, përfundoi Kurti. 

RELATED ARTICLES

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Most Popular

Recent Comments

Instagram