Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka pritur në takim zëvendës-ndihmësen e sekretarit të përgjithshëm të NATO-s për Operacione, Burcu San, me të cilën ka diskutuar për zhvillimet e sigurisë, sfidat aktuale dhe avancimin e bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe NATO-s.
Përmes një postimi në Facebook, Maqedonci bëri të ditur se bashkëpunimi po zhvillohet përmes Ekipit Këshillues dhe Ndërlidhës të Aleancës.
Ai ritheksoi përkushtimin e Kosovës për anëtarësim në NATO, duke theksuar se zhvillimi i Forcës së Sigurisë së Kosovës po përafrohet me standardet e Aleancës përmes modernizimit të pajisjeve dhe trajnimit të personelit ushtarak, bazuar në doktrinat e vendeve partnere.
Sipas Maqedoncit, Burcu San shprehu mirënjohjen për mbështetjen e Kosovës ndaj Ukrainës përmes misionit Interflex me Mbretërinë e Bashkuar dhe Koalicionit të Deminimit, në kuadër të trajnimit të trupave ukrainase.
Gjatë takimit, Maqedonci theksoi edhe rëndësinë e zhvillimit të industrisë së mbrojtjes në Kosovë dhe zbatimit të Programit të Mbrojtjes Gjithëpërfshirëse.
Ai i cilësoi këto si hapa të rëndësishëm drejt forcimit të kapaciteteve mbrojtëse, rritjes së qëndrueshmërisë shtetërore dhe përfshirjes së të gjithë shoqërisë në përballimin e sfidave të sigurisë.

