Thursday, October 15, 2026
HomeLajmeKosovëPrishtina paralajmëron kallëzim penal ndaj KMDK-së për deponinë e Mirashit

Prishtina paralajmëron kallëzim penal ndaj KMDK-së për deponinë e Mirashit

Qytetarët e Prishtinës ankohen për mbeturinat e pambledhura prej ditësh në disa lagje të kryeqytetit. Kompania “Pastrimi” kërkon ndjesë për vonesat, duke ia atribuuar ato ndryshimit të orarit të pranimit të mbeturinave në deponitë e menaxhuara nga KMDK-ja. Kjo e fundit thotë se riorganizimi i orarit është bërë pas analizimit të kostove operative, kapaciteteve dhe kushteve të sigurisë gjatë punës në orët e natës.

Qytetarët në kryeqytet po ankohen për mosgrumbullimin e mbeturinave në lagjet ku jetojnë. Grumbuj mbeturinash janë vërejtur në rrugën “Muharrem Fejza”, ndërsa ankesa kanë pasur edhe banorët e Hajvalisë, por edhe të pjesëve të tjera të Prishtinës.

“Qe një javë ka na s’kanë ardhë andej”, tha një qytetar.

“Ka dy javë s’po i marrin, ka tri javë s’po i marrin”, theksoi tjetri qytetari

“Rasti është shumë urgjent”, thotë qytetari.

Për vonesat dhe mosrealizimin e plotë të shërbimit të grumbullimit të mbeturinave në disa lagje të kryeqytetit dhe në qytete të tjera ku operon, kompania rajonale “Pastrimi” u ka kërkuar ndjesë qytetarëve.

Sipas saj, kjo situatë është krijuar si pasojë e ndryshimit të orarit të operimit nga Kompania për Menaxhimin e Deponive në Kosovë.

Për këtë çështje kanë reaguar edhe drejtues të Komunës së Prishtinës, përmes një konference për media.

“Mbyllja e deponisë për shtatë orë rresht ka pasur pasoja të pariparueshme në menaxhimin e ciklit të grumbullimit të mbeturinave. Çfarë me saktësi po na shkakton kjo mbyllje? Për shtatë orë me radhë, kamionët e kompanisë “Pastrimi”, të cilët grumbullojnë mbeturinat gjatë gjithë natës, nuk mund të zbrazin kamionët askund”, tha Besianë Musmurati, nënkryetare e Prishtinës.

“Sonte në orën dymbëdhjetë kërkojmë që dyert e deponisë në Mirash të hapen për t’u larguar mbeturinat në kryeqytet. Në të kundërtën, veprimet tona nuk do të jenë më të njëjta”, theksoi Leutrim Retkoceri, drejtor i shërbimeve publike.

Në një përgjigje me shkrim nga kompania për menaxhimin e deponive u tha se ndryshimi i orarit të pranimit të mbeturinave vjen si rezultat i një procesi të planifikuar të analizimit dhe rivlerësimit të kushteve operative dhe se kjo nuk ka të bëjë vetëm me deponinë sanitare në Mirash, por përfshin të gjitha deponitë sanitare dhe stacionin e transferit nën menaxhimin e KMDK-së.

Po ashtu, u theksua se numri i automjeteve që paraqiten për deponimin e mbeturinave gjatë orëve të natës është relativisht i vogël në raport me aktivitetin gjatë ditës.

Kjo situatë ka ndikuar në rritjen e kostove operative dhe në shfrytëzimin jo të plotë të kapaciteteve njerëzore dhe teknike. Përveç aspektit të efikasitetit dhe menaxhimit të kostove, analiza ka evidentuar edhe sfida që lidhen me sigurinë në punë, përfshirë ndriçimin e pamjaftueshëm në disa zona të shkarkimit, praninë e qenve endacakë dhe vështirësitë e tjera që mund të ndikojnë në sigurinë e punonjësve gjatë operimit në orët e natës. Bazuar në këto gjetje, grupi punues ka rekomanduar riorganizimin e orarit të pranimit të mbeturinave, duke përcaktuar orare të përshtatura me ngarkesën dhe nevojat operative të secilës njësi, thuhet në përgjigje.

RELATED ARTICLES

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Most Popular

Recent Comments

Instagram