Thursday, November 19, 2026
HomeGjeopolitikOpinionPolicia e Shtetit, përballë dy provave: Rendi në protesta dhe lufta kundër...

Policia e Shtetit, përballë dy provave: Rendi në protesta dhe lufta kundër krimit

Nga Vladimir Muçaj

Gjatë tre muajve të fundit, që përkuan me intensifikimin e protestave në kryeqytet, kam ndjekur me vëmendje mënyrën se si Policia e Shtetit ka menaxhuar situata të tensionuara, shpeshherë të shoqëruara me akte dhune, përplasje dhe cenim të rendit publik.

Në këndvështrimin tim, ngarkesa e uniformave blu ka qenë jashtëzakonisht e lartë. Përballë një situate të tillë, policia është gjendur nën një presion të madh operacional, institucional dhe ligjor. Ka qenë pikërisht ky institucion që është detyruar të mbajë mbi supe barrën kryesore të menaxhimit të situatës, duke garantuar njëkohësisht rendin publik, sigurinë e qytetarëve dhe respektimin e kufijve ligjorë të ndërhyrjes policore.

Në editorialet e mia të mëparshme kam shprehur vlerësimin se, në tërësi, Policia e Shtetit ka qenë në lartësinë e përgjegjësive të saj në përballimin e kësaj situate. Aktet vandale, përplasjet dhe episodet e dhunës kanë kërkuar profesionalizëm, vetëpërmbajtje dhe vendosmëri në zbatimin e ligjit. Natyrisht, çdo veprim policor duhet të jetë i ligjshëm, proporcional dhe i përgjegjshëm, por kjo nuk e zbeh aspak vështirësinë e misionit që ka pasur përpara ky institucion.

Megjithatë, dua të ndalem në një dimension tjetër, që sipas meje meriton më shumë vëmendje publike.

Policia e Shtetit nuk është vetëm ajo që shohim në bulevardet e Tiranës gjatë protestave.

Përtej kamerave televizive, përtej përqendrimit mediatik në kryeqytet dhe përtej angazhimit të jashtëzakonshëm të efektivëve në ruajtjen e rendit gjatë tubimeve, policia ka vijuar punën në të gjithë territorin e vendit, nga Shkodra deri në Konispol.

Aty, larg zhurmës politike dhe vëmendjes së përditshme mediatike, strukturat policore kanë vijuar operacionet kundër personave dhe grupeve të përfshira në veprimtari kriminale. Goditja e individëve të kërkuar, zbardhja e ngjarjeve, parandalimi i veprimtarisë kriminale dhe operacionet në terren janë tregues të një angazhimi që nuk mund të lihet në hije vetëm sepse vëmendja publike është përqendruar te protestat.

Ky është një element që duhet vlerësuar. Sepse një polici që arrin të përballojë njëkohësisht presionin e situatave të jashtëzakonshme në kryeqytet dhe të ruajë ritmin e punës operative në qarqe, dëshmon kapacitet organizativ dhe koordinim institucional.

Në këtë kontekst, vlerësimi im shkon edhe për drejtuesit e strukturave policore në qarqe, të cilët kanë përgjegjësinë për organizimin, drejtimin dhe funksionimin e forcave në territor. Rezultatet në terren nuk janë produkt i rastësisë. Ato kërkojnë drejtim, koordinim, përgjegjësi dhe një zinxhir komandimi që funksionon.

Një vlerësim të veçantë meriton edhe puna e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Skënder Hita. Drejtimi i një institucioni me një shtrirje të tillë territoriale dhe me përgjegjësi kaq të mëdha kërkon aftësi organizative, vendimmarrje dhe menaxhim të burimeve njerëzore. Nëse këto dy fronte, rendi publik dhe lufta kundër kriminalitetit, kanë vijuar të përballohen paralelisht, atëherë ky është një tregues që meriton të analizohet dhe të vlerësohet.

Policia nuk duhet të matet vetëm nga një incident, nga një pamje televizive apo nga një përplasje gjatë një proteste. Ajo duhet gjykuar mbi tërësinë e veprimtarisë së saj, mbi rezultatet konkrete, mbi ligjshmërinë e ndërhyrjeve dhe mbi aftësinë për të garantuar sigurinë e qytetarëve në çdo territor.

Sigurisht, lavdërimi nuk duhet të kthehet në imunitet nga kritika. Asnjë institucion publik nuk është mbi kontrollin dhe llogaridhënien. Por po aq e rëndësishme është që puna profesionale të njihet, ashtu siç evidentohen mangësitë dhe gabimet.

Në një kohë kur politika prodhon tension, kur protestat shpesh e zhvendosin debatin nga argumenti te përplasja dhe kur siguria publike vihet në provë, Policia e Shtetit duhet të mbetet institucioni që i përgjigjet ligjit dhe vetëm ligjit.

Sepse uniforma blu nuk është pronë e politikës dhe as instrument i interesave të ditës. Ajo është garancia institucionale e rendit, sigurisë dhe zbatimit të ligjit.

Dhe pikërisht për këtë arsye, profesionalizmi i saj duhet mbështetur, ndërsa çdo devijim nga ligji duhet ndëshkuar.

RELATED ARTICLES

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Most Popular

Recent Comments

Instagram