Katër persona janë arrestuar në kuadër të operacionit policor të koduar “Taslixhe”, nën dyshimin për përfshirje në trafikimin e narkotikëve. Gjatë aksionit në lokacione të ndryshme në Prishtinë dhe Gjakovë, janë sekuestruar rreth 15 kilogramë marihuanë, një sasi kokaine, armë, municion dhe para të gatshme.
Lajmin e ka bërë të ditur ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, i cili ka njoftuar se operacioni është realizuar nga Policia e Kosovës në koordinim me Prokurorinë.
Përveç narkotikëve dhe parave, gjatë operacionit janë sekuestruar edhe telefona celularë dhe dy vetura.
Sveçla e ka cilësuar operacionin si një tjetër aksion të suksesshëm në luftën kundër trafikimit të narkotikëve.
“Shëndetin dhe mirëqenien e të rinjve tanë do ta mbrojmë me çdo kusht”, ka shkruar ai, duke shtuar se institucionet e sigurisë do të vazhdojnë të veprojnë për luftimin e kriminalitetit dhe garantimin e sundimit të ligjit në vend.

