Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama nëpërmjet një reagimi në facebook ka thënë se ujësjellësi është i obliguar të njoftojë Komunën e Prishtinës për çdo intervenim që bëjnë. Rama veçmas ka thënë se ndalohen intervenimit gjatë orareve të pikut të trafikut.
“Ujësjellësi është i obliguar që të njoftojë Komunën për çdo intervenim që realizon në rrugë, ku përfshihet prerja e asfaltit dhe trotuareve. Për këtë qëllim, ne i jemi drejtuar me një shkresë zyrtare, përmes së cilës kemi kërkuar që, përveç rasteve emergjente ku kërkohet ndërhyrje e menjëhershme, këto punime të mos realizohen gjatë orareve të pikut të trafikut”, ka shkruar ai.
Rama ka shkruar më tej se duhet njoftuar Drejtoria e Investimeve Kapitale, në mënyrë që të intervenohet menjëherë për sanimin dhe asfaltimin e sipërfaqeve që po i dëmtojnë.
“Këtu është intervenimi në rrugën “Ahmet Krasniqi”, ku prerja e asfaltit kishte mbetur e pasanuar, duke u bërë pengesë për trafikun dhe rrezik për sigurinë publike”, ka shkruar ai, duke bashkëngjitur disa fotografi nga terreni.

